E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Europa, Ferrari kërkon të bëjë kthesën

Formula 1 zbret këtë fundjavë për herë të parë në Europë, me Çmimin e Madh të Turqisë, i katërti për Botërorin 2011 të sportit më të rëndësishëm të automobilizmit, ndërkohë që dueli mes skuderive pritet të bëhet më i ashpër. Pas triumfit në turin aziatik me dy fitore dhe një vend të dytë, kampioni i botës në fuqi dhe njëkohësisht kryesuesi i renditjes së përgjithshme, Sebastian Fetel kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. Piloti gjerman i Red Bull është shprehur i kënaqur me suksesin e deritanishëm, por sipas tij objektivi për të ruajtur titullin botëror është vetëm në hapat e para. “Rruga është ende shumë e gjatë dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri në fund. Nuk duhet të largojmë vëmendjen nga Ferrari dhe në të njëjtën kohë nuk duhet të nënvlerësojmë McLaren dhe Renault. Jam i kënaqur me ato që kam arritur deri tani, por nuk duhet të ndalemi për të mbajtur nën presion kundërshtarët”, ka thënë Fetel. 23-vjeçari bën mirë që ngre mbrojtjen, pasi garat në Europë janë dhe arma më e fortë e Ferrarit. Fillimi i këtij botërori ka qenë zhgënjyes për skuderinë italiane, e cila kërkon revanshin duke nisur që nga gara e kësaj fundjave në Stamboll. “Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe kemi përmirësuar shumë makinën. Jemi të vendosur për të bërë një tjetër paraqitje duke nisur nga Turqia”, ka qenë komenti i pilotit brazilian të Ferrarit Felipe Masa. Pas tre garave të para, Botërori 2011 i Formula I kryhesohet nga Sebastian Vettel me 68 pikë, i ndjekur nga Lewis Hamilton me 21 pikë më pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›