E Diel, 1 Nëntor 2026

Fergi s’del në pension pa mundur Barcelonën

SHKRUAN: Jeton Selimi 31-05-2011 12:17

Humbja nuk e ka demoralizuar aspak plakushin babaxhan të Mançester Junajtidit. Sër Aleks Ferguson vërtet nuk e ka kapërdirë ende humbjen e së shtunës në “Wembley” 3-1 nga ana e Mesit me shokë, por nuk ka ndërmend që të ngrejë flamurin e bardhë. Skocezi, një jetë në drejtim të “Djajve të Kuq”, kërkon të rifitojë nderin e lënë peng në stadiumin mitik të Londrës. Mançesteri i kishte të gjitha në favorin e tij, duke filluar nga tifozëria më e shumtë në numër, e deri te vullkani islandez, që e detyroi Barcelonën ta ndërmerrte udhëtimin drejt ishullit më herët sesa parashikimi. Por orkestra e dirigjuar nga Guardiola kishte një tjetër partiturë të mrekullueshme me vete, që e ekzekutoi përpara 90 mijë të pranishmëve në “Wembley” dhe miliona e miliona teleshikueshve në të gjithë botën. Barcelona ishte thuajse perfekte e Mançesteri, ai Mançester që në Angli duket vërtet i frikshëm, nuk ishte në gjendje ta rivalizonte skuadrën katalanase më shumë se 10 minuta.

Pikërisht këtë situatë Ferguson, 70 vjeç në dhjetor, nuk e ka gëlltitur dot. Dhe aq shumë ka ndikuar kjo humbje tek egoja e skocezit, aq sa nuk ka duruar dot më dhe mes miqsh ka treguar se nuk do të tërhiqet në fund të sezonit të ardhshëm, sikundër aludonin të tëra mediat, porse do të qëndrojë minimalisht edhe 3 vjet në krye të “Djajve”, aq sa do t’i duhet për ta shndërruar Mançesterin e tij në një makinë më perfekte sesa ka bërë Guardiola. Lajmin e ka dhënë “The Guardian”, sipas të cilit Ferguson është i gatshëm të revulocionarizojë gjysmën e skuadrës që ka në dispozicion. 10 janë lojtarët që pritet të largohen që këtë verë, ndërsa familja Glejzër do t’i vendosë në dispozicion skocezit paratë e mjaftueshme për të bërë realitet objektivin e tij.

Nani: Mesi ishte i pandalshëm

Mançester Junajtid nuk ka mundur ta ndalë dot Lionel Mesin, thotë anësori i këtij ekipi, Luis Nani. Nani u inkuadrua në ndeshje në pjesën e dytë në disfatën 3-1 të “Djajve të Kuq” nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve. “Me kalimin e kohës ne treguam se mund të luajmë në nivelin e Barcelonës. Por në pjesën e dytë ne filluam t’i japim më shumë hapësirë në mes Mesit dhe ata filluan të fitojnë më shumë kohë në top. Ata filluan ta krijojnë diferencën. Pastaj, kur ai filloi ta marrë topin, ishte vështirë. Ishte i pandalshëm. Çdokush e di çfarë mund të bëjë ai, por në pjesën e parë, kur ne nuk i dhamë hapësirë atij, ai nuk bëri shumë“, ka thënë Nani. Por Luis Nani duket se do të jetë një nga ata 10 lojtarët, të cilët Fergusoni ka vendosur t’i shndërrojë në para për merkaton e tij të ardhshme. Mesfushori anësor portugez është i lakmuar nga shumë ekipe europiane, por më me shumë ngulm e ka kërkuar Juventusi, që do një mes tij dhe Aleksis Sançez, për t’i dhënë Antonio Kontes lojtarin që ai kërkon në krahun e majtë të mesfushës, pasi në të djathtin vepron Krasiç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›