E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga De Gea të Shnajder, ja si do ndërtohet Junajtid

Mançester Junajtid është shpallur skuadra më e mirë në Angli, mirëpo finalja e Ligës së Kampionëve tregoi se Sër Aleks Ferguson duhet të mendojë për të ndërtuar një skuadër të fortë për të garuar në Europë. “Duhet të përmirësohemi sezonin e ardhshëm. Nuk do të jetë lehtë, por kjo është sfida, nuk duhet t’i frikësohemi asaj”, ka deklaruar trajneri. Me tërheqjen nga futbolli të Geri Nevil dhe Edvin van der Sar (plus mundësinë e pensionimit të Pol Skols) dhe me moshën e Rajan Gigs e Rio Ferdinand, Junajtid është i gatshëm që të fillojë një epokë të re të ndërtimit të skuadrës. Njoftohet se Ferguson do të ketë në dispozicion rreth 50 milionë stërlina për të shpenzuar, si edhe shumën e parave që mund të përfitohet nga shitja e Dimitar Berbatov dhe ndonjë lojtari më pak të rëndësishëm. Nga lojtarët që mund ta përforcojnë “Djajtë e Kuq”, spikasin emra të tillë, si portieri David de Gea (Atletiko Madrid), anësori Eshli Jang (Aston Vila) dhe mesfushorët Luka Modriç (Totenham) e Uesli Shnajder (Inter).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›