Vlora dhe Tirana në Festivali Tradicional i Komedisë
Teatri profesionist “Sandër Prosi” në Mitrovicë, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, organizon nga data 30 maj deri më 4 qershor Festivalin Tradicional të Komedisë, në të cilin marrin pjesë grupe teatrore nga vendi dhe Shqipëria. Hali Barani, drejtues i deritashëm i teatrit të qytetit, “Sandër Prosi”, në Mitrovicë, tha se qëllimi i organizimit të këtij festivali është gjetja dhe afirmimi i vlerave teatrore të komediografëve shqiptarë; nxitja e krijimtarisë artistike teatrore; zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj, që konsiderohet një investim në të ardhmen. Sipas tij, në natën e parë të festivalit do të paraqitet teatri “Drenica” nga Skenderaj, me pjesën teatrore të Kristo Floqit “Ëndërr për një karrige”, përshtatur nga Imer Loshi dhe në regjinë e Ilir Veliut. Në festival do të marrin pjesë edhe teatrot nga Podujeva, Vushtrria, Prishtina, Vlora dhe Tirana.