E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson: Nojer, portieri më i mirë që jam përballur

SHKRUAN: Jeton Selimi 28-04-2011 15:00

Edhe Sër Aleks Ferguson është impresionuar nga paraqitja e Manuel Nojer në takimin e së martës ndaj Shalkes, dhe e ka përshkruar paraqitjen e tij si më të mirën nga ndonjë portier kundër ekipit të tij. “Në kohën time te Junajtid, kjo ishte mbase paraqitja më e mirë e ndonjë portieri kundër nesh. Jam i sigurt se ka pasur edhe shumë bëma të tjera ndaj nesh, por të martën e pashë një portier shumë të mirë”, ka thënë Ferguson. Bosi i Mançester Junajtid, po ashtu ka thënë se ata nuk do të tentojnë ta sjellin gjermanin në “Old Trafford” dhe se, sipas mendimit të tij, ai do të shkojë te Bajern Mynih. Vlerësime për Nojerin kanë ardhur edhe nga portieri i Mançester Junajtid, Edvin van der Sar, ka vetëm lëvdata për rivalin e tij të Shalkes, Manuel Nojer, pas fitores në Ligën e Kampionëve. Nojer ishte dallimi në mes të disfatës dhe turpërimit për Shalken, duke bërë disa ndërhyrje vendimtare, edhe pse ekipi i tij u mposht me rezultat 2-0 para tifozëve të vet. “Nojer luajti vërtet mirë. Nuk e kam parë shumë atë pasi nuk shoh shumë futboll gjerman në televizor, por sipas të gjitha raporteve, kjo që bëri ai nuk është asgjë e re”, ka thënë Van der Sar.

Raul: Gjithçka mund të ndodhë në ndeshjen e kthimit

Sulmuesi i Shalkes, Raul, është i bindur se asgjë nuk ka përfunduar ende sa i përket vendit në finale të Ligës së Kampionëve mes Junajtidit dhe skuadrës gjermane, pasi legjenda spanjolle mendon të pamundurën në “Old Trafford”. “Në ndeshjen e kthimit, gjithçka është e mundur. Ne nuk e dimë çfarë do të ndodhë, një penalti për ne, një karton i kuq për ata. Gjithçka është e mundur në futboll. Ne kemi pritur rezultat tjetër, por jemi ende të kënaqur sepse kemi luajtur në nivelin tonë. Problemi është se Mançester Junajtid luajti në një nivel tjetër”, ka thënë Raul.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›