E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson e “keqpërdori” Rooneyn

Sir Alex Ferguson ka pranuar se gatishmëria e Wayne Rooneyt të luajë jashtë pozitës ka bërë që ai të mos aktivizohet siç duhet sezonin e kaluar. Rooney vazhdoi me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme në mesjavë, kur me dy golat e tij kontribuoi në fitoren e Manchester Unitedit ndaj Milanit 3-2 në San Siro, në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve. Nuk është për t’u befasuar që Rooney ka shpërthyer në rolin e qendërsulmuesit pas largimit të Cristiano Ronaldos për në Real Madrid verën e kaluar.

“Ne duket se nuk e kemi shfrytëzuar Rooneyn si duhet sezonin e kaluar”, tha Ferguson për radiostacionin amerikan Sirius. “Duket se kemi konsideruar entuziazmin dhe gatishmërinë e tij të luajë kudo. Por, e njohim fuqinë e tij, e dimë se ku luan më së miri dhe aty jemi duke e aktivizuar këtë sezon. Ne flasim për futbollistë të klasit botëror dhe mendoj se është term i keqpërdorur në të shumtën e rasteve, por kur shihni paraqitjet e tij në periudhën e fundit, e dini se për kënd bëhet fjalë. Një futbollist të vërtetë të klasit botëror. Ai ka arritur në kuotën e 25 golave, ndërsa kanë mbetur të zhvillohen edhe 14-15 ndeshje, ndoshta edhe më tepër varësisht se çka arrijmë të bëjmë në Evropë”, përfundoi Ferguson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›