E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferit Duka: Historia duhet riparë, të hiqen fyerjet ndaj turqve

TIRANE-  Historia shqiptare nën per andorinë osmane duhet rishikuar". Kjo ka qenë deklarata që ka bërë dje historiani i kësaj periudhe, Prof. dr. Ferit Duka. Ky i fundit ka shtuar se "rishikimi i historisë duhet bërë nga komisione të përbashkëta ekspertësh, në mënyrë që tekstet të spastrohen nga terminologjia e papërshtatshme që përdoret kur është fjala për paraqitjen e historisë së popujve të rajonit e po ashtu kur flitet për kontaktet e marrëdhëniet mes tyre". Gjatë një interviste për "Gazetën Shqiptare", profesor Duka, ndër më të njohurit për këtë periudhë kohore, ka thënë se historia duhet zhveshur nga gjuha e urrejtjes që ka politika, sepse gjuha politike është jashtë shkencës së historisë. "Historia duhet të zhvishet nga çdo etiketim fyes për popujt e grupet e ndryshme sociale, kulturore, etnike", - ka deklaruar Duka, duke u bërë kështu i pari zë shqiptar që u del pro rishikimit të teksteve, pas kërkesës së bërë nga qeveria turke asaj të Kosovës dhe Shqipërisë edhe më herët. Kërkesat turke për rishikim të teksteve janë ndjekur nga një valë e madhe debati, që në përgjithësi është pritur me kundërshtime në Prishtinë. Megjithëkëtë, Duka ka argumente për idenë e tij. Ai sqaron se, kur është fjala për historinë e periudhës osmane të Shqipërisë, duhet të jemi korrektë në trajtimin e saj, e për këtë arsye duhet të nxjerrim në pah jo vetëm momentet negative, luftërat dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe osmanëve, por edhe zhvillimet pozitive që janë manifestuar në rrafshin ekonomik, social dhe kulturor...
Një debat i gjerë ka ngërthyer shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, pas kërkesave të Turqisë për rishikimin e historisë shqiptare nën perandorinë osmane, si dhe për heqjen e termave fyes në tekstet e historisë. Ju si historian i kësaj periudhe, si e shihni këtë çështje?
Jam plotësisht dakord që tekstet e Historisë, dhe kjo qëndron për të gjitha shtetet e Ballkanit, të rishikohen. Rishikimi duhet bërë nga komisione të përbashkëta ekspertësh, në mënyrë që të tekstet të spastrohen nga terminologjia e papërshtatshme që përdoret kur është fjala për paraqitjen e historisë së popujve të rajonit, e po ashtu kur flitet për kontaktet e marrëdhëniet mes tyre. Duhet thënë se në këtë drejtim, në Shqipërinë postkomuniste është bërë një punë e mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka ç'të bëhet më.
Kur flisni për terminologji të papërshtatshme, çfarë keni parasysh?
Në rastin konkret, pra kur është fjala për historinë e periudhës osmane të Shqipërisë, duhet të jemi korrektë në trajtimin e saj. Duhet të shohim, siç duhet dhe të nxjerrim në pah jo vetëm momentet negative, luftërat dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe osmanëve, por edhe zhvillimet pozitive që janë manifestuar në rrafshin ekonomik, social dhe kulturor. Në këtë prizëm, është e nevojshme të studiohen më tej trashëgimia e pasur osmane në viset shqiptare, veçoritë e sistemit politik dhe ekonomik osman, dhe ndikimet e tij në hapësirën shqiptare. Duhen studiuar po ashtu edhe anët pozitive të traditës së bashkëpunimit dhe ndërveprimit kulturor mes popullit shqiptar dhe atij turk, traditë ku mbështetet edhe miqësia që ekziston sot mes dy popujve.
Po përveç atyre që duhen studiuar, cila është ajo çka duhet hequr nga tekstet?
Historia duhet zhveshur nga gjuha e urrejtjes që ka politika, sepse gjuha politike është jashtë shkencës së historisë. Historia duhet të zhvishet nga çdo etiketim fyes për popujt e grupet e ndryshme sociale, kulturore, etnike etj. Historiografia sot duhet të operojë me gjuhën e saj karakteristike shkencore; rrëfimi i historisë, interpretimi dhe analizat e proceseve, ngjarjeve, dukurive apo figurave historike duhen bërë mbi kritere rreptësisht shkencore dhe etike.
Romakët, turqit, italianët, gjermanët, austro-hungarezët, që e kanë pushtuar Shqipërinë në periudha të ndryshme, si mund t'i quajmë ndryshe, përveçse pushtues? Ka zëra që ngrenë shqetësimin se turqit duan të quhen administratorë e jo pushtues...A do vijojë të quhen pushtues të trojeve shqiptare, apo do përdoret term tjetër?!
Sipas mendimit tim, terma të tillë siç janë fjalët 'pushtim' apo 'sundim' etj, pa diskutim që duhen përdorur në tekstet e Historisë. Por duhet të nënvizojmë se përdorimi i tyre duhet të jetë korrekt, t'i referohet saktësisht kohës kur ka ndodhur dhe jo të përdoret me tepri, pra jo të teprohet me përdorimin e këtyre termave.
Atëherë, ne do të vijojmë të themi se ishim të pushtuar 500 vite nga turqit? Apo "duhet" të shprehemi ndryshe pas rishikimit të teksteve?
Ne, 500 vite kemi qenë të sunduar nga perandoria osmane. Në këtë kuptim, ne mund të themi se Shqipëria u pushtua nga osmanët në shekujt XV-XVI, por pas këtij momenti ne nuk mund të flasim vetëm për pushtim, por edhe për zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor të popullit në kuadër të perandorisë osmane, ashtu siç duhet të flasim edhe për rolin që luajtën shqiptarët në historinë e kësaj perandorie, mënyrat e integrimit në sistemin osman.
Në një shkrim të botuar në gazetën turke "Sunday's Zaman", thuhet se shqiptarët kanë kërkuar gjithnjë autonomi nga perandoria osmane...Lihet të kuptohet sikur në fakt nuk është kërkuar pavarësi. Cilat qenë arsyet që bënë që shqiptarët të mos e ngrinin një kërkesë të tillë më herët?
Lëvizja Kombëtare Shqiptare në backgroundin e vet politik gjatë shekullit XIX dhe fillimshekullit XX, këmbënguli në kërkesën për autonomi të Shqipërisë, si hap kalimtar për arritjen e pavarësisë, domethënë krijimin e shtetit të pavarur kombëtar shqiptar. Përqendrimi tek kërkesa për një Shqipëri autonome lidhej me disa arsye. E para, ishte rreziku i aneksimit territorial që u vinte shqiptarëve nga shtetet fqinje. Së dyti, kërkesa shqiptare për autonomi si hap fillestar për të kaluar në pavarësi, imponohej edhe nga politika e Fuqive të Mëdha të kohës, për ruajtjen e statuskuosë së Perandorisë Osmane. Sapo kjo politikë u trondit me fillimin e luftërave ballkanike në tetor të vitit 1912, atëherë udhëheqësit e lëvizjes kombëtare shqiptare të prirë nga Ismail bej Vlora, ndryshuan taktikë duke artikuluar tashmë jo kërkesën për autonomi, por atë për pavarësi. Kjo çoi pas një kohe shumë të shkurtër në shkëputjen nga perandoria osmane dhe në themelimin e shtetit të pavarur shqiptar.
(Intervista u botua me 21 shtator 2011 ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›