E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferizaj: Amnistia fiskale, çlirohen 2 mld euro

Janë 2 mld euro asete të fermerëve shqiptarë në emigracion, që janë të depozituara në bankat e huaja dhe pritet të çlirohen nga procesi i Amnistisë Fiskale. Enver Ferizaj, Presidenti i KASH (Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar) shprehet optimist për këtë proces, duke deklaruar për “MAPO” se, nuk ka të bëjë me fushatën elektorale dhe asetet që pritet të çlirohen nuk do të shkojnë në arkën e shtetit. Ai sqaron se Amnistia Fiskale ka 1 vit e gjysmë që diskutohet në komunitetet e biznesit dhe është një proces që do të formalizojë ekonominë shqiptare e do të jetë një bonus, si për qytetarët, biznesin edhe shtetin. “Tani është formalizuar biznesi si nga ana fiskale, ashtu edhe doganore, prandaj ka ardhur koha e amnistisë. Agrobiznesi përfiton shumë. Ka shumë asete. Ky proces çliron nga një barrë biznesin dhe shtetin. Është pasuri e padeklaruar. Çliron edhe mendësisht ata që duan të deklarojnë. Qëllimi nuk është të mbushet arka e shtetit, por të ardhurat që janë në bankat e huaja të investohen në vend”, - u shpreh Ferizaj. Por në të njëjtën kohë, ai propozon uljen e tarifave të faljes deri në 3%. Sipas tij, tarifat e propozuara nga qeveria janë të larta. “Nga ky proces pritet të legalizohen objektet e paluajtshme, toka, ndërtesat prodhuese, jo prodhuese, shfrytëzuese, fabrika, ato që kanë një vlerë e duan t’iu shmangen taksave. Pasi ka pasur shumë ndërhyrje në ligjet fiskale dhe biznesi ka përfituar e nuk ka deklaruar të ardhurat, sepse ligji vetë i ka krijuar këto hapësira” - tha Ferizaj. Ai theksoi se nga ky proces, ekonomia shqiptare përfiton formalitetin duke legalizuar 4-5 mld lekë asete të padeklaruara, duke kthyer këtë potencial në potencial prodhues dhe asetet monetare të fshehura kthehen ne investime e qeveria lirohet nga një barrë e padeklaruar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›