E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca, institucionet nuk i zbatojnë vendimet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-04-2011 11:43

Opozita e ka cilësuar si të paaftë institucionin e pavarur të Autoritetit të Konkurrencës, përsa i përket ekzistencës së tregjeve monopol në vend. Kreu i Konkurrencës, Lindita Milo Lati ka pranuar që ekzistojnë tregje shërbimesh monopol natyror, që janë trashëguar nga shteti në privat, por megjithë rekomandimet e institucionit që drejton, nuk ka ndryshuar shumë situata. Por në të njëjtën kohë, ajo shpjegoi se, gjatë hetimeve të thelluara në tregje të caktuara, pasi është studiuar struktura në vite, nuk është vënë re pozitë dominuese evidente, lidhur me barriera specifike të qeverisë. Për këtë, ajo deklaroi dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, gjatë raportimit të punës për 2010-ën, se do të paraqesë një draftligj, i cili do të përmbajë gjithë vendimet dhe rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim që të transformohet në një ligj vjetor në fund të vitit, që institucionet të jenë të detyruara për përgjegjshmërinë e zbatimit të tyre.

Monopolet dhe institucionet

Sipas Latit, institucionet shtetërore nuk i janë përmbajtur rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës. Lati përmendi për moszbatim të rekomandimeve të institucionit që ajo drejton, Bankën e Shqipërisë, për bonot e thesarit dhe AKEP për licencat 3G. “Monopolet natyrore ekzistojnë, monopole shërbimesh që janë trashëguar nga shteti në privat. Ajo që duhet është rritja e ndjeshmërisë së institucioneve për zbatimin e rekomandimeve“, - u shpreh Lati. Ajo bëri me dije se, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë konfirmuar nëpër gjykata, duke sjellë si shembull vendimin e vitit 2007, për sa i përket tregut të komunikimeve elektronike, që të krijohet portabiliteti i numrit për një konkurrencë të ndershme në tregun e telefonisë së lëvizshme. Në përgjigje të vërejtjeve të opozitës, se gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës datojnë vitin e kaluar dhe janë ende të paarkëtuara, Lati sqaroi se vetëm këtë vit janë tre gjoba në tregje të ndryshme, të cilat janë arkëtuar plotësisht. Opozita debatoi në komision për të evidentuar rolin kyç që ka Autoriteti i Konkurrencës, si institucion i pavarur, për të eliminuar monopolet ekzistuese në vend, duke i kërkuar llogari për tregje të ndryshme.

Hetimi për çmimet

Lati deklaroi se Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë një hetim të thelluar, përsa i përket tregut të produkteve industriale, si orizi, sheqeri, makaronat dhe vaji vegjetal, pas sinjaleve të adresuara tek Autoriteti i Konkurrencës. Qëllimi i monitorimit është evidentimi i strukturës së tregut dhe vlerësimi i trendit të çmimeve të importit. Sipas konkurrencës, nuk është në kompetencën e këtij organizmi të ndërhyjë te çmimet, por thjesht të monitorojë tregun dhe të vërejë nëse ka konkurrencë reale dhe pozitë dominuese në treg. Në të njëjtën kohë, tregu i transporteve, shërbimet publike, shërbimet postare dhe sektori energjetik, do të jenë në qendër të monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2011. Hetimi paraprak nga Konkurrenca do të fokusohet në këta sektorë, për arsye se u janë dhënë të drejta të veçanta dhe ekskluzive nga shteti. Monitorimi i sektorëve të mësipërm do të bëhet edhe në bashkëpunim me institucionet qendrore, ose edhe me entet rregullatore, sipas rekomandimeve të Komisionit Europian. Sipas Raportit të Autoritetit të Konkurrencës, për vitin 2010, sektorët dhe tregjet kryesore mbi të cilat do të jetë fokusuar mbikëqyrja janë ata, të cilët përqendrimi dhe fuqia e firmave është e madhe ose numri i konkurrentëve është i kufizuar, si pasojë e strukturës së tregut, apo krijimit të pozitës dominuese, nga një ose disa operatorë në tregjet përkatëse të produktit. Raporti i Konkurrencës vëren se gjatë vitit 2010 ka shqyrtuar 11 ankesa, 4 më shumë se në 2009, që sipas këtij institucioni tregon rritjen e kulturës ndaj konkurrencës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›