E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buja: Në tekstet e historisë do të hiqen fyerjet për Turqinë

PRISHTINE- Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja deklaroi se tekstet e historisë do të korrigjohen në ashtu siç u kërkua edhe nga Turqia.

Sipas ministrit kosovar ndërhyerja në librat shkollorë është edhe kërkesa e komisionit Europian, - raporton "Express".

Buja sqaron se kjo çështje është keqkuptuar nga opinioni publik , ndërsa për moslejimin e lëndës së mësim-besimit dhe shamisë në shkollat publike thotë se kjo është çështje e mbyllur.

“Edhe atëherë edhe tani e gjithë biseda është zhvilluar konform një kërkese që e ka bërë Komisioni Evropian për ndryshimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan. Kjo kërkesë nuk ka qenë vetëm për shqiptarët dhe për turqit, por për të gjithë popujt, veçanërisht ata të Ballkanit, që ta korrigjojnë pjesën e historisë ku ka gjuhë të urrejtjes”, - theksoi Buja.

Ministri kosovar i Arsimit nënvizon se edhe studiuesit mund të rrëshqasin në patriotizëm, kështu që gjithcka mbetet të vlerësohet nga komisioni i posacëm, i ngritur për këtë cështje.

“Ne akoma nuk kemi ndonjë raport ku thuhet se ka fyerje apo diçka tjetër për të cilën Turqia kërkon ndryshim të librit. Prandaj deri në këtë raport, ne nuk kemi nevojë të konfirmojmë asnjë gjë, nëse ka apo nuk ka diçka fyese. Por, krejt kjo çështje pastaj u politizua tej mase, madje ndonjëherë them se edhe u banalizua”, - theksoi Buja.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›