Popoviç kërcënon Maqedoninë lidhur me njohjen e Kosovës
Ambasadori serb në Maqedoni Zoran Popoviç, ka deklaruar se nëse Maqedonia do ta pranojë pavarësinë e shtetit të Kosovës marrëdhëniet në mes dy vendeve do të jenë shumë serioze. Në intervistën për Televizionin A1, ai ka deklaruar gjithashtu se Serbia pret që Maqedonia të vazhdojë me politikën neutrale ndaj këtij problemi. Në pyetjen se çfarë hapash do të ndërmerrte Beogradi, po që se Maqedonia e pranon pavarësinë e Kosovës, Popoviç ka thënë se Serbia ka qëndrim principiel, “nga të gjitha vendet të cilat e pranojnë Kosovën, në një afat prej 48 orësh do t’i tërheq ambasadorët në shenjë proteste për shkak të mohimit të legjitimitetit dhe sovranitetit të Serbisë, si një shtet i tërë”.
Fillimi i negociatave për demarkacionin e kufirit verior maqedonas me zyrtarët e Kosovës, sipas Popoviç do të thotë se Maqedonia në njëfarë mënyre e ka mohuar sovranitetin e shtetit serb në territotrin e tij.
Me rastin e negociatave greko-maqedonase lidhur me kontestin për emrin, ambasadori Popoviç ka thënë se Serbia ka qenë ndër të parat që e ka pranuar emrin kushtetues të Maqedonisë dhe se nuk dëshiron t’i acarojë marrëdhnëiet me njërin fqinj, për t’i përmirësuar me një tjetër. (INA)