Rifillon puna në komisione me Ligjin e Spiunëve
Tre draftet për ligjin e spiunëve kanë kohë që qëndrojnë në zyrat e Kuvendit edhe pse tre muaj më parë ishin parashikuar që të futeshin në programin e punës. Kryeministri Sali Berisha, ka kërkuar që kjo çështje të risillet për diskutim, duke mandatar deputetin Aleksandër Biberaj që të negociojë me PS-në për hartimin e një drafti të përbashkët. Partia Demokratike ka kërkuar bashkëpunim me PS-në për përpunimin e tre drafteve të paraqitura, për të nxjerrë një material të unifikuar. Kjo, edhe për faktin se tre projektligjet e mëparshme janë të vjetër dhe duhen bërë rregullime. Në fakt, prej dy vitesh, në zyrat e Kuvendit janë depozituar tre drafte për hapjen e dosjeve. Projektligji i parë, është i PD-së, që në thelb kërkon që subjekt i verifikimit të përgjithshëm, të jenë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji janë në marrëdhënie pune kryesisht në institucionet kushtetuese në vend. Drafti i PS-së, ka si objekt hapjen e Arshivave të Shërbimeve Sekrete Shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ai ka për qëllim vetëm publikimin e tyre. Funksionarët publikë që do të verifikohen, janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta. Ndërsa, sipas draftit të PDK-së, ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë, por ndalohen që të zgjidhen në postet drejtuese të Shtetit Shqiptar.