E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fermerët e Myzeqesë rrezikojnë eksportet, pesticidet e ndaluara dhe mungesa e udhëzimeve rrisin shqetësimet për prodhimet

Shumica e prodhuesve të frutave dhe perimeve në Myzeqe punojnë pa mbikëqyrje nga specialistët e bujqësisë.

Ata shpesh nuk pyesin agronomët për përdorimin e pesticideve, por u besojnë këshillave të shitësve në farmacitë bujqësore. Rastet e kthimit të pjeshkëve nga Kroacia dhe të specave nga Sllovenia janë të izoluara, por jo të rralla. Preparatet e ndaluara nga BE-ja shiten në farmacitë bujqësore, por ato nuk njihen nga fermeri.

“Fermerët, duke u nisur nga dëshira e mirë që ta bëjnë punën sa më saktë, i marrin pesticidet me udhëzimet e shitësve, por gabimi është që nuk punojnë me specialistët, të cilët do t’i udhëzonin se cilat pesticide janë të ndaluara, sidomos në Bashkimin Europian,” thotë specialisti i Bujqësisë, Josif Prifti.

Preparatet organike dhe metodat e luftës biologjike njihen pak, por përdorimi i tyre siguron prodhime të sigurta dhe brenda standardeve. Gabimet vijnë nga çmimi më i ulët i pesticideve në farmacitë bujqësore dhe mosnjohja e dozave të duhura.

“Ky mendoj se është një rast i izoluar. Jo të gjithë fermerët e bëjnë këtë gabim dhe jo e gjithë bujqësia shqiptare është në këtë gjendje, por puna duhet të jetë sa më e organizuar në mënyrë kapilare,” shprehet z. Prifti.

Tek specat e kthyer nga Sllovenia, fermerët përdorën doza të larta dhe nuk respektuan kohën e spërkatjes. Nikeli tek pjeshkët erdhi nga preparatet e ndaluara, që fermerët nuk i dinin.

“Duke marrë këshillën e specialistëve, duke përdorur plehra cilësore, pesticide cilësore, edhe bima vjen e shëndetshme. Kjo ul sasinë e spërkatjes së bimës, ul edhe rrezikun e mbingarkesës së bimëve nga pesticidet,” thekson specialisti.

Fermerët e Myzeqesë eksportojnë mijëra ton frutash dhe perimesh në BE çdo ditë, por rastet e fundit tregojnë se duhet më shumë kontrolle përpara se prodhimet të shkojnë në treg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›