E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fermerët shqiptarë pa certifikatë pronësie për tokën

Problemi i pronësisë mbi tokën mban peng zhvillimin e bujqësisë. Fermerët tanë nuk janë pronarë të tokës që disponojnë, pasi nuk janë të pajisur me certifikatat e pronësisë. Kjo do të thotë se ata, as mund ta blejnë dhe as ta shesin tokën. 

TIRANE- Pjesa dërrmuese e fermerëve shqiptarë nuk janë pronarë të tokës së tyre. Ata janë pajisur që në vitin 1991 vetëm me aktin e marrjes në pronësi të tokës një dokument me të cilin nuk mund ti drejtohen zyrave të regjistrimit të pasurive të patundshme për të marrë certifikatën e pronësisë. Procesi mbetet i bllokuar prej shumë vitesh dhe nuk ka gjetur zgjidhje nga qeveria Berisha edhe pse ajo deklaroi që në fillim të mandatit se do ti jepte fund problemit të pronësisë mbi tokën.

Drejtor Ekzekutiv i KASH Zydi Teqja, shprehet për “News24”, “deri më sot nuk po shikojmë ndonjë ndërhyrje të fuqishme të studiuar mirë për ta kapërcyer këtë vështirësi. Edhe iniciativa e fundit për verifikimin e titujve të pronësisë dhe pajisjen e fermerëve me certifikata pronësie rezulton të jetë e bllokuar dhe për fat të keq qeveria po e vonon shumë ktë ndërmarrje dhe gjithçka mbetet e bllokuar në Prefekturat e vendit. Ka me qindra fermerë që drejtohen ne komisionet e posaçme të ngritura në Prefektura dhe nuk marrin asnjë përgjigje në to”- tha Teqja.

Duke mos marrë certifikatën e pronësisë, fermerët nuk mund as ta shesin dhe as ta blejnë tokën bujqësore. Në këto kushte duke qenë se janë të paqartë lidhur me pronësinë, ata nuk kryejnë investime serioze mbi tokën çka kufizon prodhimin. Fermerët tanë prodhojnë sasi të vogla produktesh bujqësore të mjaftueshme për konsum familjar dhe për të furnizuar vetëm një pjesë të tregut vendas. Në një situatë të tillë nuk bëhet fjalë për shtim të eksporteve, raporti i eksport-import në bujqësi llogaritet në 1 me 8, kjo do të thotë se për çdo produkt që ne eksportojmë importojmë 8 të tjerë.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›