E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferrara: Jam si Roki, asnjë nuk do të më hedhë në tapet

Arka e klubit “shpëton” trajnerin, probleme për rrogën e Hidink
çiro Ferrara është paraqitur me afro dy orë vonesë në atë që mund të jetë konferenca e tij e fundit për shtyp si trajner i Juventusit. Kjo, për shkak se drejtuesit Blank, Seko e Betega ishin të pranishëm në Vinovo për një mbledhje teknike me skuadrën, trajnerin dhe stafin teknik. Të gjithë së bashku kanë analizuar gabimet e shumta që bardhezinjtë bënë në sfidën përballë Milanit, duke tentuar të gjejnë edhe zgjidhje. Ferrara është në dyshim, e ardhmja e tij është më e pasigurt se kurrë, por tekniku gjen kohën që të shkëmbejë disa batuta me gazetarët. Ish-mbrojtësi vazhdon të marrë goditje, por nuk heq dorë dhe thekson se ndihet paksa si Roki Balboa. “Shkarkimi? Edhe nëse do të ndodhte, nuk do ta cilësoj si një disfatë, por si mënyrë për t’u rritur. Jam ende në fillimin e karrierës si trajner. Mamaja ime thoshte gjithmonë që nëse një derë mbyllet, do të hapet një portë. Dje (pardje) një miku im më vuri në dukje se në këto momente jam si Roki. Po më godasin pafund, jam i larë në gjak, megjithatë vazhdoj të them se nuk ndiej dhimbje. Nuk ka asgjë që mund të më hedhë në tapet, duhet të më godasin edhe më fort. Edhe mamaja ime më kritikonte më ashpër”. Ndryshimi është se boksieri kishte mbështetjen e tifozëve, ndërsa në këto momente ambienti në klubin juventin nuk shfaqet kompakt: “Të dielën tifozët më kontestuan, e kuptoj gjendjen e tyre, por nuk duhet ta kalojnë cakun. Në momentin kur unë u emërova trajner kishte mjaft persona që shfaqën zili, ishin të shumtë ata që synonin stolin e Juventusit. Gjatë këtij sezoni në Serinë A ka pasur një numër rekord largimesh të trajnerëve, nuk të ndodh shpesh të gjesh një klub që vepron kështu si bardhezinjtë”.
Zgjidhja e krizës teknike te Juventusi është ende e largët. Sot Ferrara do të jetë normalisht në krye të skuadrës, në takimin me Napolin, të vlefshëm për Kupën e Italisë, megjithatë spekulohet se klubi po vazhdon të negociojë rrogën e Gus Hidink. Federata Ruse e “liroi” trajnerin holandez nga detyra: për pasojë, ajo nuk do të paguajë më 3.5 milionë eurot që Hidink do të përfitonte në gjashtë muajt e ardhshëm. Këto para do t’i kërkohen “Zonjës së Vjetër”, por fondet në arkat e klubit mungojnë. Këtu nuk duhet të harrohet as fakti se ish-tekniku i çelsit pretendon 7 milionë euro në sezon, edhe pse mund të binte dakord me një ofertë të denjë për një trajner të nivelit të lartë: pra rrogë 4 milionë euro ose më tepër në vit. Shpenzime shumë të larta, duke pasur parasysh se Ferrara përfiton vetëm 900 mijë euro. Situata aktuale ekonomike ka bërë që si alternativa të cilësohen Dino Zof, Xhanluka Viali, por edhe Xhan Piero Gasperini. Për momentin, një gjë mund të thuhet me siguri: konfirmimi i mëtejshëm i çiro Ferrarës do të varet vetëm nga rezultatet. Gjithsesi, trajneri mendon se mungesa e rezultateve nuk do të ndikojë te lojtarët: “Mendoj se klubi do të bëjë vlerësimet e nevojshme, nxitimi nuk prodhon asnjëherë gjëra të mira. E njoh mentalitetin e Juventusit, por jam edhe aq i rritur sa ta kuptoj se fati i një trajneri lidhet me rezultatet. Nëse ato mungojnë, klubi do të marrë vendimet që mendon se janë më të përshtatshme për të ndryshuar këtë moment negativ. Në ekip kam lojtarë të fortë, me personalitet dhe nuk mendoj se paraqitja e tyre varet nga situata e trajnerit. Kam besim se nëse vazhdojnë të punojnë në këtë mënyrë, do të dinë të marrin rezultate”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›