Ujkani në San Siro kundër Milanit: Me kuqezinjtë, gjithmonë një kënaqësi
Portieri
Sot në orën 16.00, Novara e “gardianit” shqiptar luan shanset e saj në Kupën e Italisë
Samir Ujkani do të luajë sërish kundër Milanit. Sot në orën 16.00, Novara, surpriza e Ligës Pro (kategoria e tretë italiane) do të zbresë në “San Siro” për 1/8-at e Kupës së Italisë. Kuqezinjtë i kanë sjellë fat 21-vjeçarit: portieri ka debutuar në Serinë A kur luante te Palermo, por ka debutuar edhe në Kombëtaren shqiptare, në miqësoren e zhvilluar në Tiranë me shtatë herë kampionët e Europës. Kjo do të jetë hera e tretë që Ujkani luan kundër yjeve ndërkombëtarë si Ronaldinjo, Pirlo, Nesta e shumë të tjerë, ndërsa ai pranon se përballje të tilla janë gjithmonë shumë emocionuese. “Gjithmonë ndiej një kënaqësi të veçantë kur luaj kundër Milanit, pasi jam tifoz i kësaj skuadre që në moshë të vogël. Por, sfida e së mërkurës (sot) do të jetë ndryshe nga të tjerat”, deklaroi talenti i Kombëtares kuqezi për kosovaren “Express”. Në këtë ndeshje, Novara kërkon të bëjë një tjetër surprizë në trofeun e dytë për nga rëndësia në Itali, pasi më parë ajo eliminoi dy skuadra elitare: Parmën dhe Sienën. Megjithatë, dëshira për t’u ngjitur në Serinë B është shumë e madhe dhe ekipi i portierit shqiptar nuk do të jetë me të gjithë lojtarët më të mirë. “Mund të duket e tepruar, por natyrisht që hyjmë në fushën e lojës për të marrë një rezultat pozitiv. Kemi shanse të mira dhe mendoj se kualifikimi do të luhet 50 me 50. Milani pritet të hedhë në fushë shumë lojtarë rezervë, por të njëjtën gjë do të bëjë edhe trajneri ynë, pasi ai nuk dëshiron të rrezikojë futbollistët më të mirë, duke qenë se objektivi kryesor i Novarës është kampionati”, nënvijëzoi Ujkani.
Eksperienca te Novara i ka shërbyer mjaft “gardianit”, që duket se është dashuruar me klubin e ri. Madje, ai kërkon të luajë me këtë ekip edhe gjatë sezonit të ardhshëm, pavarësisht se kartoni i tij zotërohet nga Palermo dhe Ujkani do të jetë i detyruar të kthehet në Sicili. “Personalisht dëshiroj të qëndroj te Novara, por ky nuk është një vend që më takon vetëm mua ta marr. Më parë duhet të diskutojmë edhe me Palermon dhe drejtuesit e dy klubeve të gjejnë akordin. Kemi shanse të mira të ngjitemi në Serinë B dhe nëse kjo ndodh, do të preferoja të luaja edhe një vit në ligën e dytë. Për moshën që kam, mendoj se është e domosdoshme që të aktivizohem rregullisht, për të rritur nivelin dhe për të fituar eksperiencë. Ndryshe nga Palermo, Novara ma siguron numrin 1”, përfundoi portieri.
#