Kaka, receta për të qenë një yll. Gjithçka futboll, shtëpi e kishë
Talenti
Rrëfehet braziliani i Realit për jetën e tij të lidhur ngushtë me fenë
Rikardo Kaka, ylli brazilian i Real Madridit, është rrëfyer për emisionin sportiv të radios “Cadena Ser”. Për futbollin është folur pak. Emri - “E mbaj që kur kam qenë fëmijë: vëllai im nuk thoshte dot Rikardo, kështu u bëra Kaka. Gruaja ime më quan ‘i dashur’, prindërit Rikardo ose Kaka, varet, ndërsa në Itali Riki, kurse në Brazil Kaka. Për mua është njëlloj”. Jeta – “Jam i ri dhe më pëlqen të dal me miqtë për darkë, të shkoj në kinema, të bëj gjëra normale, të qeta. Nuk më pëlqejnë edhe aq diskotekat. Në rast se fitoj ndonjë trofe, atëherë po, ndoshta në fund të sezonit do të shkoj të festoj. Por gjatë vitit jo”. Atletët e Krishtit – “Jam në një shoqatë, ku takohen futbollistë dhe sportistë, të cilët bëjnë studime biblike dhe flasin për Jezusin. I ndihmoj, jemi të gjithë evangjelistë, por nuk jam një nga ata”. Diferenca me kishën katolike - “Besojmë në Zot, Jezus dhe Shpirti i Shenjtë, por kemi një shenjt të vetëm, që është Jezusi. Shenjtët e tjerë janë konsideruar si persona të rëndësishëm për t’u përdorur nga Zoti, por nuk besojnë tek ata. E njëjta gjë vlen dhe për Shën Mërinë: figurë me rëndësi të madhe, e zgjedhur nga Zoti për të sjellë në jetë djalin e saj, por nuk e shikojmë si shenjtore”. Ndihma për kishën - “Nuk është një pjesë e rrogës sime, por pjesë e gjithçkaje që kam, që më është dhënë nga Zoti. çdo ditë lutem me gruan time, djalin tim, miqtë e mi dhe lexoj Biblën. Për sa u përket vlerave të mia, jam shumë radikal, nuk bëj kompromise, e di çfarë duhet të bëj”. Blasfemitë — “Nuk më pëlqejnë, nuk i duroj dot. Këtu në Spanjë blasfemohet më pak se në Itali. Ndonjëherë në Itali u kam kërkuar shokëve te Milani të mos blasfemojnë: nuk është faji i Zotit, nëse gabojnë në një rast për gol apo në një pasim. Krishti ka duruar gjithçka, edhe ne mund ta bëjmë”. Virgjëria – “Ishte një vlerë jo komerciale, e cila ishte pjesë e imja: unë dhe gruaja ime ishim të virgjër deri ditën e dasmës. Shumë nuk e besojnë, por është e vërteta dhe nuk jam i detyruar t’ia demonstroj askujt”. Krahasimi me Serinë A - Argëtohem më shumë këtu, sepse ky është një futboll më i hapur, më i pasur teknikisht. Ai italian është më taktik, më i studiuar, si stërvitjet: te Milan, përveç stërvitjes, bënim shumë ushtrime për fizikun dhe pak palestër. Këtu punohet më shumë me teknikën, me topin, gjuajtjet dhe më pak me taktikën”. Kremrat - “Rri shumë me Raulin e Kristiano Ronaldon, dy lojtarë shumë të mëdhenj. Flas shumë me ta. Diferenca në rafte? Parfumet, kremrat, aksesorët… Në timin ka më pak kremra, nuk kujdesem shumë në këtë anë”.
#