Ferri i Parajsës, Parajsa e Ferrit
Granit ZELA
Ti e di fort mirë se sa vështirë është të merresh me letërsi. Ku ta dish nëse gjithë ato ditë të blatuara me një vullnet të hekurt ndaj një qëllimi, nuk përfundojnë kot dhe ti zbulon në të fundmen ditë se e gjitha kjo është një dështim i plotë pa kurfarë kuptimi? Ku ta dijë shkrimtari se ajo që shkroi në letër nuk do të shuhet me vesën e mëngjesit, me vesën e një dite, të një muaji a një viti? Ku e di unë, ku e di ti - unë di një gjë që nuk di asgjë, thoshte Sokrati - se e gjithë kjo nuk është asgjë, por vetëm një iluzion i përditshëm. Vjen një çast kur ti merr vesh se nuk ke bërë asgjë tjetër, veçse u ke dhënë komandën “fshiji” të gjitha ditëve të tua të një jete, siç fshihen qindra faqe kompjuterike, sikur të mos kishin qenë kurrë.
A nuk është e frikshme, kur thjesht mendon se në të njëjtën kohë që, ndërsa ti shkruan, janë me mijëra njerëzit që shkruajnë si ti? Mund të ndodhë të shkruajnë të njëjtat fjalë, të njëjtën histori, të njëjtën dramë a tragjedi, gjëra të thjeshta ose të ndërlikuara, dhe ti e kupton se gjithë çka ke shkruar ngjan si një plagjiaturë e stisur keq. Ja, vjen një kohë kur kupton se është dikush tjetër që, ulur sikurse ti, po shkruan atje në disa letra të bardha pikërisht duke patur në mendje të njëjtin imazh.
Por jeta është jetë. Këto fjalë, që po shkruaj, janë dëshmia që dua të lë tashti... Po ky nuk është një rrëfim i thjeshtë jetëshkrimor. Kurrë nuk mendoj se ia vlen t’i fikësh ditët e jetës sate për të përshkruar se si i fike ato. Unë po shkruaj tashti për jetën e njerëzve, fëmijëritë e tyre, fatet, ëndrrat, zhgënjimet e sa e sa njerëzve të tjerë. Jam ulur këtu, në këtë studio të mbyllur si burg, për të qenë zëri i tyre në një shkretëtirë të paanë dhe të pafund... E megjithëse ne jemi të dy, përballë së njëjtës tryezë, brenda së njëjtës studio-burg, në të njëjtën shoqëri, pak a shumë me të njëjtat përjetime shpirtërore, sidoqoftë, misioni im është më i madh sesa vaji i thellë apo mahnitja galduese dhe e paimagjinueshme e një dashurie. Ajo që dua të shkruaj, është më shumë se një dashuri, se një fat njerëzor, se një vuajtje. Është pengu i përjetshëm që lidh një njeri si nyjë gordiane, klithma e paprajshme njerëzore që kërkon njeriun. E çuditshme. Dy romane të letërsisë shqipe që shkruhen për të njëjtin njeri. Jeta dhe arti janë binjakë. Askush nuk mund të thotë se ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetri. As ne.
* * *
O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri./ Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det/ Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në sterë. (F. Reshpja)
Kishte vdekur Frederik Pllumi. I vetmuar, në një cep të metropolit. Nuk kishte pasur askërrkënd afër kur po jepte shpirt. Thonë se kohët e fundit i ndërronte shpesh shtëpitë për me e ngatërrue vdekjen. Mbeteshe shtang para Frederikut. Një burrë i urtë, u binte dyerve të metropolit. Askush nuk e vinte re. Bëlbëzonte ca fjalë të ngatërruara, që dilnin si gulshe tingujsh. Njerëzit s’kishin kohë të dëgjonin një plak si ai. Po ta shihje, dukej bash si lypës. Askush nuk e pyeste se si e kishte emrin, nga vinte dhe ku donte të shkonte, kurse ai vetëm dorën zgjaste. Nuk kërkonte parà. Nuk kërkonte shtëpi. Nuk kërkonte mëshirë as buzëqeshje të shtira kalimtarësh.
Një natë pashë në ëndërr sikur po hapja një varr në mes të dhomës. Kur e hapa, pashë brenda fytyrën e tij. Ai ishte Diogjeni me trupin e Frederik Pllumit. Ishte Frederik Pllumi me shpirtin e Diogjenit. U binte me grushta dyerve të botës, duke kërkuar te çdo njeri njeriun. Jetoi vetëm përballë një metropoli me heshtje kërcënuese. Megjithëse shtatpakët, me një kapele të zezë si fati i vet, porsi një muzhik rus rritur stepash, Frederiku ishte një malësor shqiptar. Kur e shihje në vitet e fundit të jetës, të ngjallte keqardhje, ngase ishte i braktisur prej gjithkujt. Kishte një hendek të pazakontë mes asaj që dukej se ishte dhe asaj që ai ishte përnjëmend. Mes asaj që shfaqte dhe asaj që fshihte. Mes asaj që kujtonte dhe asaj që harronte. Shumë herë të kallte frikën me shpërfilljen e pafund ndaj vetes dhe botës.
* * *
Frederik Pllumi ishte nga ai soj shkrimtarësh, që e kalon tërë jetën duke krijuar dhe, njëherazi, duke shkatërruar veprën e vet. Fati tallej me të e ai tallej trefish me fatin. Nuk kishte frikë nga kurrgjë. Të rrekeshe të kuptoje mekanizmin e jetës fizike, të mundoheshe të hyje në botën e tij të begatë shpirtërore, brenda botës së tij të kuptimit, moralit, religjionit, ishte kaq e lehtë. Fliste për imazhet e një perandorie të rrënuar, që ishte fëmijëria e vet e mbushur me ndërtesa baroke dhe aristokrate. Kishte ndier praninë e vdekjes. Si gjithmonë, sikur t’i fliste një njeriu, i kishte thënë asaj se i duhej një varg, vetëm një varg, dhe mandej do të ikte kur të donte ajo, pasi ai kurrë nuk kishte pasur frikë. Por tani, sipas një takimi të lënë krejt shkujdesshëm, ishte paraqitur te kohëhapësira e mortit. Kur ajo kishte hyrë në dhomën e tij, ai kishte qenë duke bërë një poezi për dashurinë. Vargu vinte te Frederiku me shpejtësinë e vetëtimave. Kur ia kishte lexuar poezinë vdekjes, si në balada, i kishte hipur Kalit të Zi të Pikëllimit me u nisë me të drejt përtejbotës, përtejjetës, përtejhistorisë, në amëshim afër vetë Zotit.
Atij nuk i bënë homazhe, sikurse Gordit... Shumëkush nuk e dinte se ishte gjallë. Në faqet e një gazete u botua lista e shkrimtarëve dhe artistëve të varur, të pushkatuar, dënuar apo vdekur në hetuesi e burgje. Ishte një listë rrëqethëse, e tmerrtë, lista më tragjike që mund të krijojë mendja njerëzore... Poetë, piktorë, përkthyes, shkrimtarë, gazetarë, dramaturgë, regjisorë, arkitektë, kompozitorë, teologë që kishin derdhur gjak qiellor në themelet e kombit të tyre të kthyer në shkretëtirë. Por në atë listë mungonte emri i Frederikut. Pas shkronjës “E” sipas rendit alfabetik, kapërcehej shkronja “F” dhe kalohej te shkronja “G”. Natyrisht, kishte ndodhur padashje, por megjithatë Frederiku ishte harruar. Gjithë ato vite vetmie, rebelimesh, vetëvrasjesh pikëlluese nëpër metafora poezish apo tunele prej dheu galerish në burgje, tashtimë ishte thjesht një harresë mallkuese... Por kjo nuk kishte rëndësi për vetë Frederikun.
Thonë se kishte përhapur legjendën e vdekjes së vet, kësisoj, kur njerëzit e shihnin, besonin përnjëmend se ishte ringjallur. Kështu vdiste për vite të tëra dhe askush nuk e shihte më në asnjë rrugë të qytetit; mandej, pas do kohësh, vinte ora të ringjallej përsëri. Ka ikur Frederiku. Ditën e varrimit të tij la amanet me marrë pjesë të gjithë prokurorët, që i kishin lexuar akuza për vite me radhë, “shokë” që i përgatitën akt-ekspertizat, dëshmitarët e gjyqeve, rojat e burgut. Do të çohet nga varri me u lexue një poezi, që bën fjalë për vesën. Mandej ka me u tretë në lëndinën më të afërt, sikur mos me pasë qenë kurrë.
Më rrëfeu një ditë historinë e një samuraji, i cili i kishte dalë përpara një murgu, duke e pyetur se si ishte Ferri dhe si ishte Parajsa.
Murgu e kishte poshtëruar, duke i thënë se ai nuk vlente si qenie njerëzore, pasi ishte një kurrgjësend në këtë botë. Kishte nxjerrë shpatën e tij duke e ngritur lart për ta goditur. Ndërkohë, murgu kishte shenjuar nga shpata dhe i kishte thënë:
“Ja, ky është Ferri.”
Samuraji atëkohë ishte stepur. Duke kujtuar se për pak kishte qenë duke vrarë një mjeshtër, që i kishte rrëfyer kaq bukur se si ishte Ferri, ishte ulur në gjunjë dhe kishte nisur të qante. Murgu e ngriti dhe, pasi e përqafoi me dashuri njerëzore, e pa në sy dhe i tha:
“Ja, kjo është Parajsa.”
Lamtumirë, tash për tash, Frederik! Kur do të takohemi përsëri? (Nga “Dodona”)
28 Prill 2008