Të ikurit bëhen mjegull...
Nazmi ROLI
Në këtë pasdreke
E vras në qejfin e tij mbretëror
Drerin e pambrojtur,
Dhe s’e duroj në këtë pasdrekë
Të qëmotshme zembrekun
E kurdisur të fodullëkut.
E ka lëkurën me hënën e tablosë
Së natës.
S’e duroj prejardhjen
Mesdhetare të gjakut erotik
Të dhëndrit
Kërcimet dhe brirët e joshjes.
Kapriçio e Paganinit
Të luhet në kalldrëmet e vjeshtës
Me paradokse hijesh
E thundra.
Ma shpif dashuria legale në natyrë.
E vras në virgjëri bore
Me shigjetë korbi
Impozencën
E drerit.
Para syve
Kjo verë e thatë
Me zogj pa kokë
S’është më për mua
Spektakël,
Ku trëndafilat lindin
Për të jetuar pasionin.
Gjithkund ditët vrasëse
E me vela të shqyera
Si para mureve të Trojës
Mund të shohësh
Se si e zvarrisin Hektorin
Para syve të Andromakës.
Në besim të drurëve
Përballë shtratit të fëmijës është De Rada,
Që djali dy-trevjeçar e tregon me gisht
Dhe i thotë “ babagjyshi”,
Por babagjyshi ka njëmbëdhjetë vjet
Që s’është më,
Njëmbëdhjetë vjet që fotografinë e tij
Zemra s’ma mban ta var në kornizë muri.
Nuk shkroi poema babai,
Nuk i nisi kujt dy gisht letër,
Veç letrat e mia që ia dërgoja nga larg
Ia lexonte motra ime e vogël.
Më vonë motra më thoshte se pas kësaj
Ai dilte në kopsht, krasiste degët,
Prekte dritën me duar dhe me hënë të mirë
Tek shegët shartonte emrin tim.
Dhe s’di pse, s’di pse, më thoshte motra,
Fshehurazi qante në besim të drurëve.
Ora e mbetur
Kuaj të zinj pa shalë e kalorës
Në mbrëmje pa lëvizur rrinë
Në fushën e madhe e të shkretuar,
Hëna del me dy brirë.
Që kur qave dhe nëpër korridoret
E dimrit hapat i pate në ikje,
Gjërat e paprekura u bënë statuja,
Kurse hëna barkë në mbytje.
Emigrant
Këpucët e ngushta të vrasin
Në këmbë.
Këpucët e gjëra të mbeten
Në rrugë.
Të mos rritet këmba, të bëhen
Këpucë.
Këpucë për rrugët që ikin
E s’vijnë.
Që ngjiten e zbresin nëpër gurë
E llucë.
Për Uliksin, këpucë.
Migjeni në Shkodër
Pimë kafe në Kafen e Madhe.
Dy nga dy njerëzit, njëri tek. Kollitej.
Prej vështrimit të tij, xhami
I dritares mund të plasaritej.
Po errej, frynte erë e marrë.
Dy nga dy zogjtë në kafaz, njëri në çark.
Vjeshta mbahej në trupin e tij,
Apo ai në trupin e saj hollak?
Këmbanat s’ranë për mortje ding – dang,
Kishat s’bënë kryqin në muzg.
Të ikim, tha. Pështyu gjak.
Dy nga dy drurët, njëri cung.
Terri ia bënte më tronditës profilin:
Sakrilegj për Zotin e për mbretin.
Dy nga hapat, njëri i rrëzuar,
Parandjenjë e vdekjes së poetit.
Ikje
(Në vend të një elegjie)
Ka rënë kolera që të gjithë ikin
Pa e kthyer kokën, në absurd,
As pa e shkundur gëlqeren e mureve
Nga rrobat e nxira me muzg?
Ne rrinim dhe shihnim rrugën pa skaj,
Ikjen e tyre nëpër fushën e të lashtave,
Lëkundjet e krahëve, sikur të donin
Të ngisnin lopatat e barkave.
Pastaj të ikurit u bënë mjegull,
Humbesa dhe fusha mbeti e vetme,
E trishtë dhe e shkretë, midis dy pemëve
Fryma pothuaj të merrej.
Dhe mund të flitej veç për të vdekurit.
Atëhere, tragjik, dikush tha çartur
Se ky vend në gropa e xhunga dhimbjeje
Në rripa lëkure djalli është matur.
Vetëm një s’fliste. Ai s’kish këmbë.
Këmbët i ishin paralizuar një vjeshtë,
Dhe para perëndimit të diellit, si ashkël
E mbartnin për te porta numër trembëdhjetë.
28 Prill 2008