Ferri i parkimit në Tiranë, pushtohen edhe trotuaret
Për vite me radhë nuk u mendua për ndërtimin e parkimeve me kate, ashtu siç është zgjidhur problemi i parkimit në vende të tjera. Por, çdo hapësirë e mundshme publike, çdo shesh e lulishte u mbush vetëm me pallate. Më shumë se bashki e qytetit, bashkia e Tiranës ka qenë bashkia e ndërtuesve. Dhe ja kush janë pasoja sot.
Tiranë- Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka një parkim publik për makinat. Si të tilla shërbejnë vetëm parkimet anësore në rrugë dhe ato pak mjedisë publike mes pallateve që mbushen me automjete, në vend që të shërbenin si lulishte. Të parkosh makinën në Tiranë është një torturë e vërtetë, ndaj dhe shumë drejtues automjetesh u janë drejtuar trotuareve, duke zënë edhe të vetme mundësi kalimi për këmbësorët.
Në një vëzhgim të kryer nga gazeta IDEA në lagjet përreth rrugës së Elbasanit ka pasur me dhjetra makina të parkuara sipër trotuareve. Disa janë parkuar nga persona që nuk kanë gjetur vende bosh në parking, por mësohet nga banorët se pjesa më e madhe e makinave vendosen sipër trotuareve nga pronarët e dyqaneve të cilët i parkojnë makinat para biznesit të tyre.
Mbi këtë fakt shprehen mjaft të shqetësuar dhe vetë banorët. Mirjeta Dushku shprehet se është bërë një fenomen i modës parkimi sipër trotuarit dhe policia nuk merr asnjë masë.
Të gjithë parkojnë mu tek trotuari para pallatit. Nuk kemi nga të dalim. Akoma më e vështirë është kur bëjmë pazar sepse nuk mund të kalosh mes makinave me qese nëpër duar. Policia duhet të marrë masa, kështu nuk mund të vazhdohet shprehet ajo.
Ndërsa një banor tjetër thotë se ky fenomen mund të shndërrohet dhe në burim aksidentesh për vetë këmbësorët.
Po kur bllokohet trotuari je i detyruar që të kalosh në rrugë kryesore ku kalojnë makina, dhe ne pleqtë apo dhe fëmijët mund të na shtypë makina. Pastaj askush nuk merr masa për këtë fenomen deklaroi ai.
Në vende të tjera, parkimi në qytete e mbipopulluara është zgjidhur duke ndërtuar parkingje me kate. Por në Tiranë, bashkia ka dhënë leje ndërtimi vetëm për pallate, pasi ky ka qenë dhe interesi i kompanive ndërtuese.
Kliti Topalli /IDEA
Shkrime të tjera me interes: