Fërshëllima dhe ulërima
Një copë e realitetit irlandez të viteve ’50 zbriti në fundjavë në Teatrin Kombëtar. Drama premierë “Fërshëllimë në errësirë” e autorit irlandez Tom Murphy, e shqipëruar nga Artur Lena, u vu në skenë nga regjisori Spiro Duni. Majkëll Carney (në versionin skenik të veprës, aktorët e recitojnë këtë mbiemër “Kalni”) është një irlandez që ka ardhur të jetojë dhe të integrohet në Britani. Bashkë me të shoqen, anglezen Beti, çifti ka strehuar edhe tre vëllezërit të zbritur nga Irlanda, djem në moshë, të cilët e kanë të vështirë ta gjejnë veten në shoqërinë angleze dhe t’i shkëputen jetës me zakone të rënda boll, zakone që ua udhëheqin “virtytet” burrërore të kokëfortësisë dhe krenarisë së irlandezit. Sipas këtij miti të farkëtuar nga babai tek i biri, një marrëdhënie vartësie “bëmë baba të të ngjaj”, respekti dhe dashuria, e mbi të gjitha paraja, fitohen vetëm me dhunë.
Në takimin e parë pas shumë kohësh, Dada (Reshat Arbana) pyetjes së të birit “plangprishës”, Majkëll (Naun Shundi) se “kush pandeh se je ti?” i përgjigjet: Unë jam ai që kam qenë dhe rripi i mesit është po ai.
Ky rrip mesi që vërtitet si kamxhik në dorën e Xhef Kalnit rri gjatë gjithë shfaqjes i varur si kamë në portën e madhe të shtëpisë, për të treguar se çfarë ndodh më pas në këtë familje, shkak ka dhunën.
Drama ka një zhvillim klasik të konfliktit ku ajo që ndodh nuk përbën surprizë për spektatorin.
Vëllai i madh, Majkëlli, një intelektual që përpiqet të zërë një vend të respektuar në shoqëri, i dorëzuar përballë sjelljeve barbare të vëllezërve, i heq shpresat që ata do të ndryshojnë një ditë, dhe sytë i mban tek më i vogli Desi (Roland Saro). Majkëlli lutet që Desi të mos marrë “atë rrugë”. Durimi dhe toleranca e tij vihen në prove të madhe përballë vetë Kalnëve. Ky mbiemër përfaqëson irlandezin emigrant që anglezët e quajnë “plehrë”.
Një performancë shumë e mirë ajo e aktorit Naun Shundi, recitimi i tij është i qartë dhe i saktë, por është më keq i veshuri. Jeleku dhe gravata e tij përballë veshjeve me meshin, doreza hekuri dhe “xhevahireve” në qafë e duar të “bandës” irlandeze, krijonin një antagonizëm ashiqare, e të panevojshëm, antagonizëm që personazhet e bartin vetiu.
Loja e Reshat Arbanës pati një çast magjie – skena mori sharm kur ai hyri si të ishte irlandezi i fundit – por humbi më pas në recitimin zhurmues të trupës së aktorëve
Bujar Asqeriu pati me rolin e Harrit një nga interpretimet më të dobëta që ka pasur së fundi në teatër. Një personazh që përveç ulërimave nuk përcolli asnjë emocion. Regjisori ndoshta kishte menduar që dramave të individëve brenda dramës së madhe të familjes Kalni, t’iu bënte një lexim muzikor. Aty ku nxeheshin gjakrat apo krijohej tension mes personazheve, muzika bënte efekt të kundërt, kishte një rol negativ, pengonte dialogun.
“Fërshëllimë në errësirë” është një dramë me karaktere të vështirë, e thënë ndryshe “të fortë”, por realizimi i saj kërkonte më shumë delikatesë. Përleshjet, kacafytjet dhe ulërimat nuk janë e vetmja formë se si shfaqet dhuna, aq më pak në skenë.