E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fest-Danc" në Durrës nisin përgatitjet

Trembëdhjetë kompani teatrore nga 12 vende të ndryshme të botës do të mbërrijnë në Durrës për të marrë pjesë në edicionin e radhës të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan. Edicioni i tretë i këtij aktiviteti artistik do të zhvillohet në qytetin bregdetar nga 14-20 prill të këtij viti, i organizuar nga shoqata "Durrës Beauty" me drejtues koreografin e mirënjohur dhe pedagogun Gjergj Prevazi. Sipas organizatorëve, veprimtaria mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Bashkia e Durrësit. Trupat teatrore nga Franca, Zvicra, Kroacia, Italia, Serbia, Turqia, Kanadaja, Suedia, Austria, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen dhe performancat që do të prezantojnë në këtë edicion të festivalit, që po kthehet në një traditë të përvitshme. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan konsiderohet një projekt unik në vendin tonë, pasi përfshin një nga fushat më të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende veprimtari të ngjashme. Ai synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme. Kështu, për afro një javë, në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" do të ngjiten trupa nga vende të ndryshme të botës, të cilat do të shkëmbejnë edhe përvojat mes tyre. "Trupat nga Zvicra dhe Suedia vijnë në këtë veprimtari me shfaqje premierë, që janë përgatitur enkas dhe që interpretohen për herë të parë në skenë", thotë drejtori i këtij aktiviteti, Gjergj Prevazi.

Promovimi i qendrave historike dhe arkeologjike të qytetit antik të Durrësit përbën një tjetër synim të këtij edicioni, gjatë të cilit janë parashikuar dy shfaqje në mjediset e amfiteatrit, si dhe spektaklet e vona të mbrëmjes në skenën private "Isamnus". Workshopet profesionale me studentë dhe artistë, të drejtuara nga koreografi kanadez Paul Ibey, do të zhvillohen në mjediset e hapura të Rotondës Mesjetare, pranë qendrës së qytetit. Në kalendarin e këtij edicioni, sipas organizatorëve, kanë konfirmuar pjesëmarrjen me shfaqjet e tyre dhe në qytete të tjera si Tiranë, Shkodër e Fier disa nga trupat e huaja. Thirrja për të komunikuar artistikisht me mjete kontemporane e ka rritur interesimin e studentëve dhe specialistëve të degës së koreografisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›