E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis rikonstruksioni i rrugicave të kalldrëmta

Afrimi i sezonit turistik në qytetin e Beratit ka nisur të vërë në lëvizje bashkinë e këtij qyteti. Veç aksionit për pastrimin e inerteve në zonat muzeore apo ato tampon ka nisur puna muajt e fundit për rikonstruksionin e rrugicave të kalldrëmta. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Ndërmarrja e Mirëmbajtjes Rrugë-Trotuare dhe Ndriçimit Publik ka riparuar dhe rikonstruktuar rreth 1200 metra katrorë rrugica të kalldrëmta, të cilat janë ndër vlerat e ansamblit turistik të këtij qyteti. Të gjitha rrugicat brenda lagjeve muzeore dhe atyre tampon janë tashmë duke iu nënshtruar riparimit dhe rikonstruksionit të kalldrëmeve, çka i paraprin kështu afrimit të sezonit turistik për vitin 2008. Sipas burimeve nga kjo ndërmarrje, janë rreth 16 mijë metra katrorë rrugica të kalldrëmta, të cilat do t‘i nënshtrohen me faza rikonstruksionit total për të rikthyer traditën mijëravjeçare të kalldrëmit në lagjet e vjetra në këtë qytet. Po këto burime pohojnë se për këtë vit është parashikuar të riparohen dhe rikonstruktohen rreth 4 mijë metra katrorë rrugica. Puna ka nisur në ato lagje periferike të qytetit, të cilat janë pranë lagjeve muzeore, pasi në këto të fundit do të jetë Drejtoria e Monumenteve të Kulturës që do të ndërhyje me specialistët e saj. Sipas të dhënave nga Bashkia e Beratit, mendohet që deri në muajin maj, çka përkon me fillimin e sezonit turistik, punimet në rrugica, pastrimet, sistemimi në zonat muzeore dhe jomuzeore të kenë përfunduar, çka do të nxjerrë në pah më shumë vlerat e këtij qyteti. Vitet e fundit, si pasojë e kalimit të mjeteve mbi rrugica, kalldrëmet ishin shkatërruar krejtësisht, duke prishur imazhin e një qyteti muze, siç është Berati.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›