Të rikthyerit në PS: Çfarë duhet të ndryshojë në parti
Mes radhëve të të ftuarve në 20-vjetorin e Partisë Socialiste spikatnin dhe personazhe të cilët marrëdhënien me PS-në në 10 vitet e fundit e kanë patur me oshilacione, personazhe që pas vitit 2005 hera-herës kanë qenë në konflikt të hapur me lidershipin e kryesuar nga Edi Rama, por edhe në partneritet në momente të caktuara. Agron Duka, ish-ministër i qeverisë socialiste të drejtuar nga Fatos Nano, është një prej tyre. Në këtë 20-vjetor Duka shprehet se PS-ja është realisht forca kryesore në vend, ndërsa ka shpjeguar dhe momentet e pikëkëputjes së tij dhe më pas ribashkimin me lidershipin aktual socialist. “Afrimi im me Partinë Socialiste ka nisur si një harmonizim normal interesash, pasi unë ushtroja ndikimin tim në një zonë si Shijaku, ku disa vite më parë PS-ja arrinte të merrte vetëm 22% të votave. Në këtë zonë PS-ja kërkoi normalisht të rigjeneronte pozitën e saj dhe këtu lindi dhe bashkëpunimi im. Bëhet fjalë për periudhën kur PS-ja drejtohej nga Fatos Nano. Unë asnjëherë nuk kam qenë anëtar partie, jam bërë vetëm një vit më parë. Pasi Partia Socialiste doli në opozitë në vitin 2005, unë kam kontribuar për këtë forcë deri në zgjedhjet e vitit 2007. Një vit më vonë në vitin 2008 marrëdhëniet e mia me lidershipin e ri të partisë u shkëputën, për shkak të qëndrimit të tyre kryesisht, dhe unë kam kontribuar pranë LSI-së në atë periudhë, pra nuk kam dalë nga spektri i së majtës. Në vitin 2009, kur LSI-ja kaloi në koalicion me PD-në, jam shkëputur dhe prej tyre dhe në këtë vit si pasojë edhe e reflektimit të lidershipit socialist unë nisa sërish bashkëpunimin dhe kontributet në PS”, është shprehur Duka. Ish-anëtari i Kryesisë, Bardhyl Agasi, nga ana e tij vlerëson kontributet e PS-së në këto 20 vite, duke mos harruar të kritikojë dhe tendencën e lidershipit të ri për të mohuar kontributet e drejtuesve të kësaj partie deri në vitin 2005. “Shumë nga kontribuuesit, figurat e këtyre 20 viteve, janë lënë në harresë dhe kjo nuk është diçka e mirë. Ajo që më shqetëson më tepër është fakti që në grupin parlamentar apo forume janë njerëz të katapultuar dhe të ardhur jo mbi bazën e meritës, që shpesh shprehen ashpër ndaj shumë kontribuesve të kësaj partie. Shumë prej tyre kanë ndjenjën e inferioritetit ndaj figurave të mëparshme dhe kërkojnë që të spikatin vetë duke lënë në heshtje pjesën tjetër. PS-ja duhet t’i thërrasë të gjithë, që nga themeluesit e deri te të rinjtë e sotëm, përndryshe do jemi me pikëpyetje dhe në vitin 2013, nëse kjo gjë nuk ndodh”, është shprehur Agasi. Gjergj Koja, ish-ministër socialist dhe ish-drejtues i FRESH-it, mendon se PS-ja është fituese e zgjedhjeve lokale ndërsa shprehet i sigurt se PS-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2013. “Nuk mendoj se referencat për këtë 20-vjeçar të PS-së duhen bërë te emrat, pasi PS-ja është një forcë shumë e madhe që i tejkalon këta emra. Sot mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk pyesin mbi problemet apo mungesat e PS-së, por pyesin për problemet dhe ngërçet e qeverisë. Unë mendoj se PS-ja ka fituar zgjedhjet lokale së bashku me aleatët dhe për pasojë PS-ja duhet të sillet si fituese në këto zgjedhje”, është shprehur Koja. Natasha Paço, ish-prefekte e Durrësit dhe ish-zv ministre e PS-së, shprehet se ka ardhur koha që PS-ja të synojë bashkimin, si e vetmja mënyrë për të riardhur në pushtet. “Mendoj se tashmë lidershipi i PS-së ka kuptuar se pa kontributet e të vjetërve dhe të rinjve së bashku nuk mund të krijojë avantazhe, mendoj se ka ardhur koha për të bashkuar të gjitha këto kontribute të vjetra e të reja, përndryshe i bie që PS-ja asnjëherë nuk ka për të ardhur në pushtet. Sot një ish-drejtues kryesor i PS-së, si Ilir Meta, është në qeveri me demokratët, gjithashtu edhe ish-lideri i PS-së, Fatos Nano, është i mënjanuar, por unë realisht besoj se do vijë koha dhe çdo gjë do të shkojë në vendin e vet. Besoj dhe shikoj se do të ketë një fije reflektimi nga të dyja palët. PS-ja duhet të mbyllë procesin e tejzgjatur të dëmtimit të vetes dhe rikthimi te jeta organizative normale e PS-së, t’i japë oksigjen partisë”, është shprehur Paço.