Festa e Krishtlindjeve pajton PD-në dhe PS-në
Autori i Lajmit: Suela TopiFesta e Krishtlindjeve ka qenë një moment pajtimi dhe faljeje jo vetëm për gjithë shqiptarët, por veçanërisht dhe për politikanët tanë. Të ndodhur njëkohësisht në Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Kishës Katolike, përfaqësuesit e majtë dhe të djathtë kanë përcjellë mesazhe pajtimi. Politikanët shqiptarë kanë lënë mënjanë mëritë politike dhe kanë shtrënguar duart. Të pranishëm në të njëjtën kohë në Selinë e Kishës Katolike, kryeministri Sali Berisha dhe sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, kanë uruar njëri-tjetrin për festën dhe i kanë zëvendësuar akuzat politike me batuta. Po të njëjtën gjë ka bërë dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Të pranishëm në të njëjtën kohë në Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale në Tiranë, Rama dhe Basha nuk kanë nguruar të shtrëngojnë duart, ndërsa kanë qëndruar të ulur pranë njëri-tjetrit për të uruar kryepeshkopin Janullatos. Duke pasur parasysh akuzat e ndërsjella të dy politikanëve, ky shtrëngim duarsh mes të dyve ishte disi i papritur. Aq më shumë kur kryesocialisti një gjest të tillë e ka bërë me shumë ngurrim me ish-aleatin e tij, kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ndërsa nuk pranoi ti kthente përshëndetjen sekretarit të Përgjithshëm të po kësaj partie në një tjetër feste fetare pak javë më parë.
Urimet
Pas vizitës në Selinë e Kishës Ortodokse në Tiranë, Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një prononcim për mediat, u uroi të gjithë besimtarëve gëzuar Krishtlindjet, duke u përqendruar në urimin e tij tek ata që këto festa i gjejnë në sakrifica: “Ju uroj të gjithëve: Gëzuar Krishtlindjet! “Mbi të gjitha dua që ky urim tju shkojë të gjitha familjeve shqiptare që në këtë fundviti përballen me një krizë, e cila ka nevojë për durim, ka nevojë për mundim, ka nevojë për sakrifica të veçanta, që unë uroj dhe shpresoj që nuk do të vazhdojnë për një kohë të gjatë”, - tha ai. Mesazhe urimi ka përcjellë dhe kryeministri Berisha, ndërsa vizitoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me rastin e Krishtlindjeve. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, u prit nga Hirësia e tij, kryepeshkopi Anastasios Janullatos dhe drejtues të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. “Është një rast i shkëlqyer për tu uruar sot nga zemra të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, besimtarëve të krishterë dhe besimtarëve të Zotit, gëzuar këtë ditë të shenjtë, këtë ditë të madhe, ditë e cila shënon lindjen e Krishtit, moment ky që ndau kohërat dhe historinë. Asgjë ska ndikuar më fuqishëm në historinë e qytetërimit sesa lindja e Krishtit. Kjo është një ditë që frymëzon besim të madh, shpresë, dashuri, mirëkuptim dhe forcë për njeriun. Ndaj dhe një herë, le të urojmë që Krishtlindjet e tjera ti festojmë edhe më mirë. Këto Krishtlindje ne i festojmë si një vend anëtar i NATO-s, çka do të thotë se urimi ynë, dëshira dhe ëndrra jonë u bë realitet. Krishtlindjet e tjera uroj që ti festojmë me lëvizje të lirë në mbarë Evropën, atë që presim, me një përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me më shumë punë për shqiptarët dhe me një betejë të suksesshme kundër varfërisë”, - tha ai. Të njëjtat urime Berisha ka shprehur edhe gjatë vizitës në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009