Topi: Kriza në vend, Kuvendi i PD dhe e ardhmja ime politikeNga TCHIntervistë e presidentit Topi dhënë gazetarit Sokol Balla për emisionin “Top Story” në Top Channel Zoti president, sot janë Krishtlindjet, një festë e cila me kalimin e viteve du
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Topi: Kriza në vend, Kuvendi i PD dhe e ardhmja ime politikeNga TCHIntervistë e presidentit Topi dhënë gazetarit Sokol Balla për emisionin “Top Story” në Top Channel
Zoti president, sot janë Krishtlindjet, një festë e cila me kalimin e viteve duket se po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për shqiptarët. Fillimisht do të doja t’ju pyesja për urimin tuaj në këtë ditë?
Natyrisht që urimi i parë shkon për besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët, pasi është një klimë festive për të gjithë dhe besoj është edhe një tipar i arrirë me të cilin ne mund të krenohemi dhe mund të konsiderohemi të integruar prej kohësh në familjen e qytetëruar. Pra, kjo paqe që mbizotëron midis besimeve të ndryshme në Shqipëri, është dhe pika e rëndësishme e referimit ku mund të orientohemi edhe ne të tjerët. Kështu që kjo festë u sjelltë paqe, begati, shëndet në familjet e të gjithë shqiptarëve dhe t’i kalojmë gëzuar ashtu si kemi bërë dhe vitet e tjera!
Ka një pretendim kryesisht me karakter justifikues për vizat se po na vonohen, pasi jemi një vend mysliman. A nuk ju duket kjo një tezë e rrezikshme sidomos kur e promovojmë vetë?
Duhet që së pari të jemi më të qartë për të deklaruar burimin...
Unë kur thashë vetë, do të thotë që del nga ne vetë, ndoshta dhe për arsye politike për të justifikuar një vonesë në liberalizimin e vizave. Gjithsesi përdorimi i kësaj karte duket si një autogol ndonjëherë.
Unë besoj që është totalisht ndryshe. Sot shqiptarët, flas për atë pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve që janë në emigracion dhe nuk janë pak. Ata janë ballafaquar me realitetin perëndimor prej vitesh dhe gati-gati kanë dëshmuar që janë në parametra ekuivalentë me popullsinë ku ata jetojnë. Ne këtë e konstatojmë jo thjesht duke i njohur bashkatdhetarët tanë, por marrim konsiderata të drejtpërdrejta edhe nga autoritetet. Kjo ndodh në Greqi, ndodh në Itali, ndodh në vende të tjera të Evropës, ndodh në SHBA, pra marrim konsiderata mjaft pozitive, çka do të thotë që opinioni i vendeve ku shqiptarët kanë shkuar për të emigruar nuk është i tillë për bashkatdhetarët tanë, çka do të thotë i larguar në kohë nga momenti i emigrimit të tyre, besoj që kjo është një teori që nuk qëndron.
***
Zoti Topi flasim pak për situatën politike në vend. Si i vlerësoni protestat e opozitës, i bëjnë ato mirë apo keq demokracisë në vend dhe situatës në përgjithësi?
Flas në aspektin parimor. Padyshim, është e drejta e çdo partie politike, e simpatizantëve të saj, e sindikatave, e grupimeve të ndryshme shoqërore. Për t’iu rikthyer retrospektivës apo eksperiencës personale, edhe unë kam protestuar kur kam qenë i inkuadruar në partitë politike dhe nuk do të kishte guximin askush të thoshte të kundërtën, pra çdo njeri është i lirë të protestojë. Ka protesta individuale, ka në formën e grupimeve politike, të grupimeve shoqërore dhe është një nga standardet e arrira të demokracive perëndimore. Për t’u futur në elemente specifikë, natyrisht është në vullnetin e partive të opozitës për të protestuar për diçka që mendojnë që duhet protestuar. Kështu që unë nuk mund të bëj rolin e analistit, apo të supervizorit apo të monitorit për të thënë që po bëjnë mirë apo po bëjnë keq.
Zoti president unë e di që e keni të vështirë t’i përgjigjeni disa pyetjeve por detyra ime është t’jua bëj pastaj përgjigjet i dini ju vetë.
Ju jeni i lirë të bëni çdo lloj pyetjeje.
Hapja e kutive zoti president është një moment ligjor dhe unë e di që për shkak të pozicionit ju sapo e thatë, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe si kryetar i KLD bën pjesë në detyrimet tuaja institucionale dhe sigurisht nuk do të guxoja t’ju provokoja në këtë pikë, por natyrisht është dhe një moment politik. Mendoni se këtu mund të jetë çelësi i zgjidhjes të këtij bllokimi apo krize ta quajmë, s’ka rëndësi.
Unë mendoj se pozicionin tim si president e kam mbyllur për sa i përket vlerësimit të zgjedhjeve. Ky është një vlerësim i bërë dhe ju siguroj që nuk jam konformist kur bëj vlerësime. Ju e dini që në eksperiencën time politike kam bërë prononcime edhe individuale, edhe kur grupimi politik mendonte ndryshe, aq më shumë sot kur kam autoritetin e plotë për t’i thënë gjërat ashtu siç janë. Unë mendoj se vlerësimin tim për zgjedhjet e kam bërë më shumë se një herë dhe qëndroj në ato standarde që sapo i shpreha. Për sa i përket zhvillimeve politike, mënyrën sesi e shikojnë partitë debatin politik, mënyrën e shprehjes së vullnetit të tyre politik, është një çështje ekskluzive e partive politike. Ajo që më intereson qoftë si qytetar, qoftë si President i Republikës është që debati politik, të jetë një debat mbi bazën e një fizionomie perëndimore të realizimit të debatit dhe ka hapësirë të pafund për ta realizuar debatin, për të zhvilluar betejën politike dhe pastaj për të realizuar disa gjëra që domosdoshmërish kushtetuta i ka paraparë që kërkojnë të gjitha palët. Dikujt mund t’i vijë keq që unë shprehem kështu, por unë flas mbi bazën e parimeve kushtetuese, flas mbi bazën e eksperiencave ndërkombëtare, mbi bazën e një eksperience të gjatë politike, gjithmonë kërkohet të bashkëpunohet. Në një bashkëpunim politik, ka mundësi të debatohet, ka mundësi të lëshohet, pra është në vullnetin e partive politike. Nuk mund të jap unë leksione sot nga kjo zyrë. Të japësh leksione demokracie është shumë keq, sepse çdo njeri duhet të ketë vullnetin individual për t’u sjellë në mënyrë demokratike, për t’u grupuar në mënyrë demokratike, për të bërë vendimmarrjen në mënyrë demokratike.
Zoti president, ky lloj qëndrimi juaj i cili është absolutisht korrekt nga pikëpamja e kornizës kushtetuese, edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit që e reduktuan, e zhveshën, tentuan ta çngjyrosin nga fuqia vepruese e Presidentit të Republikës dhe ju i keni miratuar, i keni firmosura këto ndryshime kushtetuese megjithatë një javë para po në një intervistë me mua jeni shprehur në mënyrë shumë kritike dhe të rreptë ndaj tyre.
Më dolët në një element shumë interesant. Megjithatë vazhdoni. Pra iu kthyet një elementi që ka të bëjë pikërisht me atë që unë po them. Unë kam qenë jo kritik, kam qenë sugjerues… Natyrisht nëse sugjerimi merr formën …
Jeni i rreptë në sugjerimet tuaja, le ta themi kështu!
Çështja e interpretimit të ligjëratës, është një çështje tjetër. Natyrisht që do të jenë me tone serioze kur vjen çështja e trajtimit të themelit të një shteti sikurse është Kushtetuta. Unë nuk mund të deklaroj duke qeshur, kur gjërat ndryshohen pa një konsultë serioze.
Pa ju pyetur fare në atë rast.
Edhe sikur mos ta pyesin fare presidentin. Nuk është çështje e marrjes në konsideratë, apo një keqardhjeje personale. Çështja kushtetuese është një çështje që i takon të gjithëve. Për definicion Presidenti është garant i Kushtetutës dhe ligjit, është e thënë në Kushtetutë . Pra nuk mund të jetë pozicion voluntarist i X-it apo Y-it. Ajo që kam thënë në atë kohë ka qenë: Kujdes mund të bëni ndryshime sepse ndryshimet vijnë mbi bazën e vullnetit të një shumice parlamentare, që arrijnë në atë numër të domosdoshëm që parashikon Kushtetuta. Pra sqaroni momentet, paraqitini para njerëzve, paraqitini në media, jepuni mundësi njerëzve që të ambientohen me këto ndryshime dhe pastaj bëni ndryshime. Kur nuk e morën në konsideratë dhe vendosën brenda një nate, atëherë isha i detyruar të bëja një nënshkrim të menjëhershëm të dekretit. Ka një arsye të fortë morale dhe një arsye të fortë institucionale. Së pari, kur Parlamenti zgjedh Presidentin me 84 vota dhe kur janë 115 vota që janë për ndryshime kushtetuese atëherë nuk ke asnjë lloj mundësie të mendohesh. Është një vullnet që…
Është më i madh se vullneti që ju zgjodhi ju president.
Në mënyrë absolute, ju e keni parë që unë e kam firmosur menjëherë dhe nuk kam bërë më komente pasi e kam dekretuar. Në momentin që dekretohet nuk ka vlerë të komentosh dhe nuk është e moralshme të komentosh. Gjërat konsiderohen të mbyllura dhe duhet patjetër të zbatohen. Ky është komunikimi institucional. Pra diskutohen në momentin para se të vendosen, bëhet vendimmarrja dhe në momentin që bëhet vendimmarrja, të gjithë e kanë të detyrueshme për ta zbatuar. Kështu funksionon një shtet serioz. Dhe nga kjo pikëpamje, unë nuk kam pasur keqardhje që u futën në këtë aplikim të këtij ligji, apo të ndryshimeve kushtetuese. Absolutisht. Kam qenë shumë i vëmendshëm për t’i zbatuar dhe sa kohë do të ekzistojë kuadri ligjor, do të jem edhe unë shumë i kujdesshëm për t’i zbatuar në mënyrë shumë rigoroze.
Megjithatë ju vetë e thatë, në rastin e KQZ, këto ndryshime kushtetuese edhe në mënyrën si u bënë edhe për thelbin e tyre kanë ndikim apo kanë sjellë pasoja në zhvillimet politike të këtij viti apo jo?
Në ç’ kuptim?
Në sensin negativ.
Për kë?
Ju folët për KQZ.
Për mua si President, nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj pasoje.
Flas për mediet jo për ju personalisht.
E hodhët pak përpara, që ju ka rënë kompetenca. Në mënyrë absolute. E rëndësishme është që ata që e kanë pasur vullnetin për të ndërtuar një ligj elektoral, duhet të mendoheshin mirë para se ta realizonin. Në momentin që realizohen, nuk mund të bësh komente në retrospektivë, si e ke realizuar. Ka një rregull, nuk është lojë fëmijësh. Kjo është loja më e rëndësishme që ka të bëjë me demokracinë e një vendi dhe me të ardhmen e një vendi. Njerëzit nuk duhet të bëhen qaramanë post-faktum. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Ku dallohet një politikan, një intelektual nga një njeri i zakonshëm. Duhet t’i bëjë profilaksinë gjërave. Pra futesh në një periudhë përgatitore, dialogu, fillon ndërton mbi bazën e ekspertëve edhe kur bën vendimmarrjen nuk ke pse qahesh më.
Qajnë zakonisht ata që humbin zoti president. Kritika juaj drejtohet drejt opozitës.
Jo në mënyrë absolute! Nuk bëj unë kritika ndaj mazhorancave apo opozitës. Ju mund ta orientoni ku të doni. Unë jam i drejtpërdrejtë, jam shumë I sjellshëm. Nuk bëj kritika. Problemi është në parim, kur shkon drejt vendimmarrjeve serioze, duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Nuk je në një tavolinë bixhozi, që e mbyll natën sonte dhe mund të kthehesh prapë nesër. Këto janë fatet e një vendi. Politikani ka një përgjegjësi absolute. Duhet të shkojnë shumë të përgatitur. Kemi pasur raste që kemi ndenjur me ditë dhe me netë për të diskutuar një element teknik në negociata. Ju e dini fare mirë.
Zgjedhjet e 2007-ës, p.sh.
Jo vetëm ato, edhe elemente të tjerë. Kur negociohet politikisht, negociohet me seriozitetin më të madh. Pse? Nuk janë fate individuale. Janë fate të demokracive, të institucioneve, janë fate që kanë të bëjnë me perspektivën e njerëzve. Kjo është arsyeja që në demokraci, fatet delegohen. Një individ ka të drejtën e votës, shkon voton, ka deleguar fatin e tij. Ti që je interpret i fateve të tyre, ti duhet të jesh shumë serioz. Pra bëhen mirë hesapet, bëhen mirë llogaritë dhe çdo njeri paguan pikërisht atë që ka ndërtuar. Ky është fati i demokracisë, dikush fiton, dikush humbet. Henri Kissinger e thoshte në mënyrë frekuente frazën ‘mos u shqetësoni, mos u lëndoni, rregulli i demokracisë është: ai që fiton sot mund të ketë shansin të shkojë në opozitë nesër dhe opozita e sotme është pozita e së nesërmes. Ky është rregulli i demokracisë.
Megjithatë, opozita pikërisht ankohet se janë prishur rregullat e lojës.
Unë nuk besoj që rregullat e lojës janë ndërtuar jashtë vullnetit të palëve politike. Në rast se do të isha kritik do të ishte për momentin që; a janë pyetur të gjitha institucionet? Se kam pasur këtë lëndim, sepse e di fare mirë. Unë kam një eksperiencë të gjatë parlamentare. Unë e njoh shumë mirë rregullin, rolin e jashtëzakonshëm të Parlamentit. Nuk është se unë e them sot për herë të parë që Parlamenti është tempulli i demokracisë, aty ku zhvillohet dialogu politik. Aty i kemi bërë të gjitha debatet politike; i keni vënë re që njerëzit që nuk futen në parlament, fillojnë e sfumohen. Nuk është një eksperiencë shqiptare, është një eksperiencë botërore. Pra konsiderohesh në politikë aktive, kur je pjesë e debatit parlamentar.
Mendoni që po e dëmton opozitën mungesa e saj në parlament?
Unë edhe një herë jam i kujdesshëm, sepse duhet të ruaj ekuivalencë të plotë. Nuk kërkoj të ndërhyj qoftë edhe me analizën time, por apelet e mia unë i kam bërë shumë të sinqerta, sepse të njëjtin apel kam bërë edhe atëherë kur kam qenë pjesë e strukturave politike të Partisë Demokratike, kur ishte jashtë parlamentit. Rikthehuni edhe dokumenteve, kam thënë të njëjtën gjë. Unë jam i mendimit që pjesëmarrja në institucione, është mendimi im, të jep vlerë, pastaj janë taktikat politike të partive, janë këndvështrimet e tyre në vizionet e tyre, të cilat janë ekskluzive të partive, nuk mund marrin leksione nga presidenti.
Zoti president, ju u takuat para disa ditësh zyrtarisht me liderin e opozitës. Në fakt njoftimi për shtyp ishte pak rreshta dhe u kuptua që ajo që ishte thënë brenda ishte diçka më shumë nga ajo që u tha zyrtarisht. A mund të na thoni çfarë u tha në atë takim?
Elementi më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo zyrë të institucionit shtetëror është transparenca. Në momentin kur është kërkuar takimi nga zoti Rama, i cili është gjithmonë i mirëpritura si çdo politikan tjetër në zyrën e Kreut të Shtetit, kam bërë njoftimin e medieve për të qenë të pranishme dhe kam pasur një komunikim nëpërmjet zyrës së shtypit me të gjitha mediat, për të thënë edhe elementet kryesorë të takimit. Zoti Rama erdhi me shqetësimin për t’i bërë prezent nga afër Kreut të Shtetit të gjitha problemet që ekzistojnë në tryezën e opozitës. Për sa i përket pozicionimit të shtetit ligjor, ka të bëjë me Prokurorinë, ka të bëjë me gjykatat, me ato pozicione me të cilat Presidenti ka një lidhje të natyrës organike dhe ligjore. Ky ka qenë takimi. Ka sjellë edhe një dosje me të gjitha këto çështje, të cilat ai i ka orientuar në institucionet e shtetit. Asgjë nuk ka mister në këtë komunikim.
Nuk fola për mister. Fola thjesht çfarë u tha më shumë se ç’doli në deklaratë për shtyp.
Këto janë elementet kryesorë, asgjë më shumë. Të jeni i sigurt që unë jam shumë rigoroz në detyrimet e mia. Në zyrë bëj muhabete zyre.
Zoti president, a ju ka kërkuar, apo keni kërkuar, apo keni komunikuar për të njëjtën situatë me kreun e mazhorancës?
Unë kam pasur rastin, në raste të ndryshme të takohemi, por nuk kemi diskutuar. Nuk është vendosur në rendin e ditës ndonjë bisedë specifike për këtë çështje.
Si i keni marrëdhëniet tuaja me Sali Berishën në këto moment? Vazhdojnë të jenë vetëm institucionale?
Kur janë institucionale, janë të arrira besoj, sepse ne tentojmë që marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet që ekzistojnë në kafene, apo nëpër ambiente të tjera afër partive politike, t’i bëjmë institucionale. Në momentin që themi që janë institucionale, them që janë të arrira.
E bëj këtë pyetje, pasi muajt e fundit u duk sikur u kapërcye një krizë institucionale më tepër sesa një krizë komunikimi midis jush dhe kreut të mazhorancës, kryesisht zotit Berisha, aq sa filloi të flitej më me lehtësi nëpër qarqet gazetareske, se ndoshta është kapërcyer momenti i krizës së komunikimit dhe një mandat i dytë i Bamir Topit si President tanimë është më i mundshëm.
Unë i di fare mirë që ju e dini më mirë se ne, ju gazetarët...
Ndonjëherë spekulojmë më mirë se ju, jo se dimë më shumë...
Sigurisht e thashë në një sens ironie, por të jeni i sigurt që unë nuk bëj llogari të karriges. Tek unë nuk mund të bëhen biseda të tilla. Unë kam një parim. Në momentin që marr një detyrë jam shumë serioz për ta realizuar detyrën. Dhe jam në një predispozicion natyral, që gjërat të rrjedhin në mënyrë natyrale, të pasforcuar, të kenë fatin e tyre.
Kur thoni këtë, besoj që juve do ta kryeni detyrën pavarësisht nga kostot që ato mund të krijojnë rrugës për sa kohë që ju besoni që detyra është në funksion të pozicionit tuaj.
A ka kosto më të madhe, në rast se ti me ndërgjegje i shkon ndesh pozicionit kushtetues?
Dhe ju e keni bërë këtë?
Sa kohë që unë respektoj pozicionin kushtetues dhe nuk i njoh vetes asnjë lloj lapsusi në këtë rrugë deri tani, tregon që jam i qetë.
Megjithatë e bëj këtë pyetje, sepse gjatë vitit të fundit, një viti e gjysmë që nga ndryshimet e kushtetuese jo rrallë u kritikuat, u sulmuat sesa u kritikuat, edhe nga përfaqësues të mazhorancës, edhe nga të themi pjesë e opinion bërjes pranë saj dhe shikoj që kjo ka rënë tani dhe kjo është një gjë e mirë pasi ndoshta të gjithë po e kuptojnë pozicionin tuaj kushtetues. Megjithatë politikisht nuk mund t’i shmangemi disa gjërave zoti President. Kur unë ju pyes në raportet me mazhorancën, kam parasysh p.sh se në Kuvendin e fundit të PD, t’i rikthehemi temës tuaj të preferuar ‘demokracia e brendshme e partive’ shumica pothuaj absolute e atyre që, në mos, mos i quajmë mbështetësit tuaj kur ju keni qenë në parti, po ata që kanë qenë kritikë në mënyrën sesi drejtohej partia, kritikë në mënyrën sesi duhet të qeverisej më mirë. Befas u zhdukën të gjithë nga Këshilli Kombëtar i PD. Në vend të tyre u futën të tjerë ose ndonjë figurë groteske e jetës politike që gjithsesi për respekt nuk dua t’ia përmend emrin.
Jo, duhet të keni respekt për çdo njeri!
Ose këshilltarë, ose të kryeministrit ,ose të Jozefina Topallit. Si e gjykoni këtë? Nuk është kjo një mënyrë reagimi ndaj jush? Ndoshta jo me artikuj në gazetë denigrues, por me mënyra të tjera.
Së pari, për momentin që kalojmë, nuk është kjo tema e preferuar e imja. Pra ishte pjesë e përgjigjes ndaj një pyetjeje që ju realizuat për demokracinë e brendshme nëpër parti. Sigurisht që nuk mund të them që jam indiferent, por nuk është tema ime, sepse hapësira ku unë veproj është në një terren tjetër. Njerëzit zakonisht bëjnë karriera politike për të ardhur në pozicione të tilla dhe duhet ta nderojmë një pozicion të tillë jo për qëllime karrieriste, por për qëllime të mira të karrierës politike dhe t’i shërbejmë këtij pozicioni sepse është një pozicion që i shërben të gjithëve. Është një pozicion, i cili influencon në mënyrë të ndjeshme, të drejtpërdrejtë në stabilitetin e vendit. Të futem në çështje të jetës politike të partive pas dy vitesh e gjysmë në sensin e pyetjes që ju drejtoni, do të thotë që unë të rikthehem edhe një herë aty ku kam qenë, duke qenë anëtar i asaj kryesie, në atë pozicion. Është një çështje që ka të bëjë me partitë respektive politike, me jetën e tyre të brendshme. Çdo individ ka të drejtën që të futet për të bërë karrierë, mund të hyjë në atë ambient, mund të dalë nga ai ambient. Nuk është një çështje që ka të bëjë me një vëmendje momentale timen.
Ky vend ka treguar se po nuk iu nënshtrove rregullave të dy partive të mëdha, po flas për aktualitetin në vend, e ke të vështirë të bësh një karrierë të largët politike. Mungesa e një alternative të tretë sipas jush apo të një alternative tjetër përpos këtyre të dyjave që ofrohen, është pasojë e mungesës së personit të duhur për ta bërë këtë apo të kushteve të tjera?
Deri tani ne kemi të drejtë të bëjmë një fotografim të asaj që është. Seç ndodh më mbrapa askush nuk e di.
Meqë flasim për atë që ndodh më mbrapa zoti president, kur ju pyes për Kuvendin e PD natyrisht që sot ju si President i Republikës, ju intereson vetëm në kuadrin e zhvillimit të demokracisë së brendshme të partive. Nesër mund të jetë një çështje eventuale që ka të bëjë më rikthimin tuaj në politikë. Dhe natyrisht, nëse ju s’merrni një mandat të dytë për President. E bëj këtë pyetje sepse në këtë rast do t’i riktheheshit këtij Kuvendi dhe do të thoshin të gjithë që, ky Kuvend nëse ka një mesazh politik indirekt jo për sot, për nesër, për Bamir Topin, është se ju mbyll derën e PD juve të riktheheni në politikë në Partinë Demokratike.
Unë do të lutesha të mos të trajtonit më gjatë këtë pjesë sepse fillon e merr ngjyrime të tjera. Unë deri në momentin që do të jem në këtë zyrë do t’i përkushtohem në mënyrë tërësore angazhimit tim dhe nuk kërkoj që të krijohen idera, suspekte, perspektiva mbetet perspektivë. Askush nuk është në gjendje të japë me siguri perspektivën e jetës së tij. Së pari sepse askush nuk e di se në ç’kushte shëndetësore do të jetë. Uroj që të kemi shëndet, së pari.
Do të jeni 55 vjeç zoti president.
Nuk lidhet shumë me moshën, lidhet me kushte të tjera. Pra t’ia lëmë perspektivës.
Po të ishte kështu zoti Topi nuk do të kishte as vlerësime publike, as sondazhe publike ku ju gjithsesi vazhdoni të jeni në krye ose në krye të listës së preferencave.
Ndoshta mund të jetë pjesë edhe e taktikës së prononcimit publik. E kam fjalën që gjërat thuhen në momentin kur duhet të thuhen. Tani unë nuk kam asgjë për të thënë në këtë sens.
Dakord, por meqë po flasim ‘kurrë mos thuaj kurrë’ nuk e përjashtoni mundësinë e një aktiviteti tuaj politik ekstra PD kur të lini karrigen e presidentit, 55 vjeç, nuk mendoj se do t’i nënshtroheni rregullave të pensionit politik kaq herët.
Këtë pyetje, me këtë lloj aludimi, së paku mua, s’duhet të ma bëni.
Unë kam detyrë të bëj çdo pyetje zoti Topi.
Unë kam një parim me kolegët gazetarë, me analistët; pranoj çdo lloj pyetje që mund të ekzistojë në këtë botë. Ia kam thënë dikujt tjetër, që ju jeni pronar i pyetjes dhe unë jam pronar i përgjigjes, por duke njohur mirë eksperiencën time politike, pozicionimin, profilin familjar, shoqëror besoj që edhe ju, duhet të keni një gjysmë përgjigje të pa-demonstruar, se cila do të jetë e ardhmja ime.
* Marrë me shkurtime