Kriza ekonomike në Greqi, një lajm i keq për shqiptarëtNga “Balkan Insight”Me ekonominë e saj të varur fuqishëm nga fqinji jugor i pasur, kriza e borxhit në Greqi ka ngritur shqetësime për vendin në veri. Hakiu, një bojaxhi 45 vjeç, nga Tirana, udhët
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kriza ekonomike në Greqi, një lajm i keq për shqiptarëtNga “Balkan Insight”Me ekonominë e saj të varur fuqishëm nga fqinji jugor i pasur, kriza e borxhit në Greqi ka ngritur shqetësime për vendin në veri. Hakiu, një bojaxhi 45 vjeç, nga Tirana, udhëton për në Greqi thuajse çdo pranverë. Duke marrë rrugën përgjatë shtigjeve të ngushta të maleve që ndajnë dy vendet, ai ilegalisht kalon kufirin, me qëllim që të lyejë shtëpitë e klientëve të tij, shumica e të cilave janë familje që i takojnë klasës së mesme në Selanik.
“Unë gjithmonë kam punuar ndershmërisht dhe kam disa klientë që më marrin në telefon çdo vit”, - thotë Hakiu me krenari.
Ai nuk është vetëm. Qindra-mijëra shqiptarë, shumica nga zona të varfra fshatare, varen nga dërgesat e punës sezonale në Greqi.
Megjithatë, me Athinën nën presion të vazhdueshëm për të shkurtuar me dhimbje shpenzimet për të lehtësuar deficitin e madh buxhetor, rrugëtimet për punë tej kufirit - legalisht dhe ilegalisht - mund të mbërrijnë në një fund të keq.
Është një skenar, të cilin ekonomistët shqiptarë e kanë paralajmëruar me pasoja serioze në ekonominë e vendit të tyre. Qeveria greke zbuloi këtë muaj se deficiti publik i vendit do të shkojë në 12,7% të GDP, duke e tejkaluar pasivisht nivelin prej 3% të vendosur nga rregullat e Bankës Qendrore e BE.
Komisioni Evropian dhe investitorët e huaj po kërkojnë që Greqia të shkurtojë shpenzimet dhe të rivendosë besueshmërinë financiare, por qeveria e re e kryeministrit socialist, Papandreu, është gjithashtu nën presion nga sindikatat dhe partia e tij që të ruajë nivelet e shpenzimeve publike dhe të përmirësojë kohezionin social.
Sindikatat kanë kërcënuar me protesta, nëse qeveria imponon shkurtime të mëdha, teksa kujtimet e rrëmujave të dhjetorit të kaluar mbesin të freskëta. Disa analistë parashohin se Greqia do të hasë vështirësi duke rritur huatë vitin që vjen për të ri-financuar stokun aktual të borxhit prej 300 milionë eurosh.
Rreth 664 mijë shqiptarë jetojnë në Greqi duke përbërë rreth 10 për qind të forcës së punës. Një popullsi e rëndësishme migratore me lidhje të forta me vendin e saj, Shqipërinë, ata dërgojnë qindra milionë euro çdo vit. “Gjysma e tyre janë punëtorë me mëditje nga zona rurale të varfra të Shqipërisë, të cilët gjejnë punë sezonale në Greqi pasi kalojnë ilegalisht kufirin”, - vëren Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Kërkime Ekonomike. “Gjysma e popullsisë fshatare në Shqipëri jeton me këto remitanca, dhe nëse ky burim të ardhurash mbyllet, do të ketë pasoja të tmerrshme në standardin e tyre të jetesës”, - shton Preçi.
Greqia paguan dhjetëra milionë euro çdo vit pensione për anëtarët e minoritetit grek në Shqipëri.
Me gjithë një gjallëri politike - disa shqiptarë etnikë kanë deklaruar se janë me origjinë greke, me qëllim që të marrin pensionin - paratë mbesin një burim i rëndësishëm të ardhurash.
“Unë gëzohem, nëse Greqia do të vijojë të japë pensione për minoritetin”, - thotë Shkëlqim Cani, ish- guvernator i Bankës Qendrore. “Këto pagesa janë një burim i fortë të ardhurash për zonën kufitare”.
Po njëlloj e rëndësishme, biznesi grek ka qenë një burim i rëndësishëm investimesh të huaja, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, dhe shumë vëzhgues i tremben rritjes së krizës në Greqi, pasi ajo mund t’i thajë këto investime.
“Greqia do të përballet me shkurtime të përgjithshme në konsumin publik dhe atë privat, dhe kjo do të prekë të gjithë Ballkanin, sepse Greqia është një qendër gravitacionale financiare, ekonomike dhe sociale në rajon”, - thotë Pajtim Melani, drejtues i kërkimeve për tregun në Autoritetin shqiptar të Konkurrencës.
Bankat që zotërohen nga grekët zënë 25 për qind të aseteve të sistemit bankar dhe zotërojnë rreth 38 për qind të tregut të huave. Të martën, agjencia e vlerësimit Moody’s uli shkallët për disa banka greke, duke përfshirë bankën Kombëtare të Greqisë, EFG, Eurobank Ergasias dhe Emporiki Bank, të cilat kanë aksione të rëndësishme në sektorin bankar në Shqipëri.
“Greqia ka qenë një burim i fortë financimi në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, si edhe një burim kredish të lira, të lëshuara nga bankat greke”, - thotë Melani.
“Rreziku i rritur i premiumeve (të borxhit) në Greqi do të rrisë normat e interesit në Shqipëri”, - shton ai.
Megjithatë, ndonëse investitorët grekë kanë qenë një burim i rëndësishëm zhvillimi, disa analistë besojnë se rikthimi në masë i emigrantëve shqiptarë mund të ketë përfitime afatgjata.
“Nëse kriza e tashme në Greqi zgjat, ne mund të shohim një varfërim të përgjithshëm të pjesëve rurale të Shqipërisë, por ne mund të shohim gjithashtu rilindje të interesit për rikthim të emigrantëve dhe investime të tyre në Shqipëri”, - thotë Drini Imami, drejtor ekzekutiv i një qendre kërkimesh në Tiranë. “Në të kaluarën shumë ndërmarrje të suksesshme në bujqësi u ngritën, pasi u kthyen emigrantët, të cilët sollën kapital dhe njohuri”, - shton ai.
Ndërkohë që ekonomistët në Athinë dhe në Tiranë debatojnë se si të dilet nga krizat respektive dhe goditjet që ato lënë, Hakiu në shtëpinë e tij në një lagje periferike punëtorësh në Tiranë, po planifikon rrugëtimin tjetër përtej kufirit.
“Herën e fundit ika, pasi një punëdhënës thirri policinë, me qëllim që të mos më paguante për punën e bërë”, - shpjegon ai. “Unë synoj të rikthehem dhe të marr atë që më takon”, - shton ai me zë të vendosur, i vetëdijshëm se megjithatë e ardhmja mund të jetë e pasigurt, por as e kaluara nuk ka qenë ndryshe.