E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli dhe Meta : “Vitin tjetër lëvizje e lirë për shqiptarët”

Autori i Lajmit: RedaksiaKryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. Gjatë vizitave në Katedralen e Shën Palit dhe Kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë, ajo tha se kjo festë është festa e shpresës për kombin tonë, për njerëzimin dhe ne përjetojmë sot këtë festë të bukur me optimizëm. “Dita e Krishtlindjeve është një ndër festat më të hareshme është dita në cilën lind shpresa për një botë të re, për një paqe të re dhe kjo na bën që në familjet tona të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimet e tyre fetare ta shohin si një festë shumë të ngrohtë që të jep optimizëm dhe besim për të ardhmen”, - tha Topalli. Ajo pohoi se vitin tjetër do të jetë edhe më i suksesshëm. “Ne shqiptarët, në mënyrë të veçantë po mbyllim një vit që ka qenë ndër vitet më të mbara për historinë e kombit tonë dhe hyjmë në vitin 2010 në të cilin shqiptarët do të mund të lëvizin, pas më shumë se një shekulli të izoluar, pa viza dhe pa nevojën për të qëndruar në ambasada. Në këtë kuptim, viti i ardhshëm është vit i lëvizjes i lirë, gjë që përputhet me kohën e globalizmit dhe unë shfrytëzoj rastin për tju bërë urimet të gjithë shqiptarëve dhe ju gazetarëve e përfaqësuesve të medias, për më shumë paqe, shëndet e lumturi”, - përfundoi urimin e saj kryeparlamentarja Topalli. Urime të përzemërta për gjithë shqiptarët janë përcjellë dhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, gjatë një vizite në Metropolinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, uroi të gjithë besimtarët e krishterë dhe qytetarët shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve. Meta u takua me Fortlumturinë e Tij, Anastasin, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, të cilit i shprehu urimet më të ngrohta për të gjithë besimtarët e krishterë. “Uroj që kjo ditë kaq e rëndësishme të sjellë sa më shumë paqe dhe dritë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Jam i bindur se viti tjetër do të jetë akoma më i mirë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›