E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja ekonomike që nuk ul varfërinë Nga Fitim ZekthiPolitikat fiskale në Shqipëri në vitin 2005 pësuan një ndryshim të thellë që vazhdon ende në të dy përbërësit e tyre. Nga pikëpamja e politikës së taksave nisi një reformë me uljen e tyre në një ma

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rritja ekonomike që nuk ul varfërinë Nga Fitim ZekthiPolitikat fiskale në Shqipëri në vitin 2005 pësuan një ndryshim të thellë që vazhdon ende në të dy përbërësit e tyre. Nga pikëpamja e politikës së taksave nisi një reformë me uljen e tyre në një masë shumë të madhe dhe që përfshiu fillimisht përgjysmimin e tatimit të biznesit të vogël dhe vijoi me uljen në 10% nga 25% të tatimit mbi fitimin, uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore për pjesën që paguan punëdhënësi nga rreth 22% në 10%. Në qershor të këtij viti kontributi i sigurimeve shoqërore u ul përsëri dhe shkoi në 5%, një ulje tjetër e thekshme kjo. Për t’i dhënë ekonomisë shqiptare pamjen e një ekonomie krejtësisht të qeverisur nga tregu, në letër, u vendos që tatimi mbi të ardhurat personale të bëhej i njëjtë për të gjithë dhe të ishte 10%. Më herët vendi ishte qeverisur me tatimin progresiv për të ardhurat personale, ku punonjësit me paga të ulëta dhe të mesme paguanin vetëm 1% dhe ata që fitonin shumë paguanin deri në 20%.
Ana tjetër e politikave fiskale, shpenzimet publike, ndryshuan po ashtu fort në pikëpamje të përdorimit të tyre. Shumica e parave u përdorën në pak projekte, kryesisht në infrastrukturë, dhe nuk u shpërndanë më në mijëra projekte të vogla si më parë, nga të cilat sot pak gjurmë kanë mbetur.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se me gjithë përmbysjen e politikave fiskale, ekonomia shqiptare vijoi të rritet me po ato ritme. Nga viti 2000 ekonomia është rritur me rreth 5,5 deri në 6% në vit. Gjatë viteve 2005 deri në vitin 2008 (viti 2009 është karakterizuar nga efektet e krizës ekonomike botërore dhe kësisoj ekonomia është ngadalësuar, sipas FMN, në një rritje prej 1,%), ekonomia është rritur me 6% në vit, pavarësisht debateve për rritjen e vitit 2008, ku qeveria pretendon se ajo shkoi në 7,8%. Ulja e madhe e taksave pas vitit 2005 nuk është përjetuar si e tillë nga biznesi në Shqipëri, për shkak se ekonomia shqiptare ka pasur një shkallë të jashtëzakonshme informaliteti. Drejtori i UNDP, Kemal Dervish, tha në gusht të vitit 2006 se asetet e biznesit në Shqipëri janë ekstraligjore në rreth 60% të tyre. Kësisoj, biznesi shqiptar, pavarësisht se në letër ishte ngarkuar me taksa të mëdha para vitit 2005, ai iu shmangej atyre në një masë shumë të madhe. Kështu, në vitin 2002 të ardhurat nga taksat në Shqipëri ishin sa 20,7% e GDP, në vitin 2005 ato shkuan në 22,5% të GDP. Gjatë viteve kur taksat u ulën fort, niveli i të ardhurave megjithatë mbeti i lartë dhe të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se ato në vitin 2006 ishin 23,07% të GDP dhe vijuan prore të rriten, derisa në vitin 2008 shkuan në 24,3% të GDP. Pra biznesi, pavarësisht se taksat janë ulur, nuk ka paguar më pak, pasi tashmë administrata tatimore po tregohej shumë e ashpër dhe shmangiet e taksave u bënë më të vështira. Megjithatë duhet thënë se masat e administratës fiskale ndaj shmangieve masive që i bëheshin më herët detyrimeve tatimore ishin një domosdo në kufijtë e fundmë të saj. Evazioni, veç grabitjes së parasë publike, shërben edhe si taksë për biznesin që nuk e bën atë. Taksa e sheshtë (tatimi mbi të ardhurat personale) ka ndikuar në masën e madhe të punonjësve, të cilët u detyruan të paguanin 10% nga 1% që paguanin më parë, megjithatë kjo taksë thjesht ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse të konsumatorëve dhe nuk është përcaktuese në rritjen e të ardhurave pas vitit 2005 me gjithë vlerën e saj më të madhe. Pra, ekonomia shqiptare, me gjithë ndryshimin e thellë të politikave fiskale, nuk ka ndikuar shumë në ritmin e rritjes ekonomike të vendit, edhe për shkak se në thelb përsëri janë paguar taksa sa më parë. Në anën tjetër, politikat fiskale nuk kanë mundur të krijojnë më shumë vende të reja pune. Të dhënat e INSTAT tregojnë se papunësia në Shqipëri është 12,7% aktualisht në një kohë që në vitin 2005 ajo ishte rreth 14,1%. Vetëm në fushatën e fundit zgjedhore u fol nga qeveria për vendet e reja të punës (asnjëherë më parë numri i vendeve të reja të punës nuk është përmendur si arritje, as nga qeveria), dhe u tha se janë krijuar në 4 vite 80 mijë syresh. Ky argument nuk u debatua për shkak të pafundësisë së gjërave që thuhen në fushatë. E vërteta është se vetëm gjatë vitit të fundit u rrit artificialisht numri i njerëzve që punojnë në bujqësi me 26 mijë, në një kohë që numri i vendeve të reja të punës së sektorin privat jobujqësor ishte 6 mijë. Është e qartë se në bujqësi, në Shqipëri gjatë vitit nuk mund të shtohet numri i vendeve të punës me 26 mijë, në një kohë që bujqësia është sektori që ecën më ngadalë. Bujqësia rritet me 2-3% në vit, pothuajse me gjysmën e ritmit të ekonomisë dhe ajo zë 20% të ekonomisë kombëtare (GDP). Është e pamundur që një sektor, që rritet me 2-3% në vit dhe që pesha e tij në ekonomi është 20%, të çelë 26 mijë vende pune, kur pjesa tjetër e ekonomisë (80%) dhe që rritet me mbi 6% të çelë vetëm 6 mijë vende pune.
Nobelisti i vitit të kaluar në ekonomi, Paul Krugman, thoshte pak ditë më parë në “New Jork Times” se politika më e mirë fiskale është niveli i arsimit, rritja e tij. Politikat fiskale në Shqipëri, në mënyrën se si ato janë ndjekur, nuk kanë pasur kurrë në fokus një arsim të mirë, madje mund të jenë ndikuar në prishjen e tij. Ato kanë pasur vështirësi të mëdha të krijojnë vende pune dhe ky është dështimi më i madh ekonomik i Shqipërisë në gjithë tranzicionin 19-vjeçar.
Profesori Robert Barrot i universitetit Berkley, kandidat për çmimin Nobel, thotë se, kur papunësia është më shumë se 7,6%, ulja e taksave ndikon shumë pak ose aspak në ekonomi. Kur papunësia është e madhe dhe sidomos kur struktura ekonomike është e keqe, masa më e përshtatshme e politikave fiskale është rritja e shpenzimeve, në mënyrë që të rritet kërkesa, të ndikohet niveli i vendeve të punës e për pasojë konsumi. Politikat fiskale të Shqipërisë nuk kanë mundur të ndikojnë në atë që është problemi më i madh ekonomik në vend; struktura ekonomike. Shqipëria nuk do të dalë kurrë nga varfëria, nëse nuk do të ulë peshën e bujqësisë në ekonomi. Të gjitha vendet e zhvilluara kanë një bujqësi shumë të zhvilluar, por pesha e saj është më pak se 10%. Në Shqipëri bujqësia zë rreth 20% dhe bujqësia është shumë e dobët, më e dobëta në Evropë dhe në rajon. Në Gjermani bujqësia zë vetëm 2% të ekonomisë dhe është ndër më të zhvilluarat në botë, në Greqi bujqësia, megjithëse shumë e zhvilluar, zë më pak se 11% të ekonomisë, në Maqedoni ajo zë më pak se 16% dhe është shumë e më zhvilluar se e jona. Kjo do të thotë se Shqipëria dhe politikat fiskale duhet doemos të rrisin peshën e shërbimeve, të industrisë përpunuese, industrisë nxjerrëse etj., dhe të zhvillojë edhe bujqësinë, por rritja e fortë e sektorëve të tjerë të jetë e tillë që bujqësia të ketë peshë të vogël. Në këtë kuptim politikat fiskale kanë dështuar me gjithë ndryshimin e tyre të thellë, ndonëse duhet thënë se pesha e bujqësisë ka pësuar një rënie të vogël gjatë këtyre viteve, e cila megjithatë duhet vlerësuar. Shqipëria vuan edhe nga një hendek i thellë mes të varfërve dhe të pasurve dhe kjo nuk është një metaforë me ngjyresa komuniste. Vetëm vendet në Amerikën Latine kanë të tilla përmasa të hendekut social si ne. INSTAT tregonte në gusht të 2008 se 10% e popullatës konsumon 30% të totalit të konsumit dhe pjesa tjetër, 90% e popullatës, konsumon 70% të totalit. Këtë vit të dhënat e tij tregojnë se hendeku është thelluar dhe tashmë 10% e popullatës konsumon 32% të totalit. Kjo është një prirje e frikshme dhe ngre pikëpyetje të mëdha se kush përfiton nga rritja ekonomike në Shqipëri. Edhe gjatë viteve para 2005, kur politikat fiskale ishin ndryshe, ishte ky hendek, por thellimi i tij bëhej pak më ngadalë. Ulja e taksave dhe sidomos futja e taksës së sheshtë, që prek direkt pagat e mbi 250 mijë punonjësve me paga të ulëta e të mesme, është një element më shumë, jothelbësor, në këtë hendek social. Shqipëria është duke u shndërruar në vend me ekonomi “fituesi merr të gjithë ekonominë” ose edhe “fituesi merr kontrollin e shoqërisë”. Zyrtarët më të lartë të qeverisë nuk kanë nguruar të flasin për biznese të mëdha që kontrollojnë shumëçka. Edhe opozita po ashtu ka folur për këtë gjë, por secila nënkupton grupime të ndryshme. Dy ekonomistë të njohur dhe nga zërat më influentë sot në botë, Robert Frank i universitetit Cornwell dhe Philip Cook i universitetit Stanford, kanë përcaktuar këtë gjetje për ekonomitë me hendek të tillë, ku e gjithë rritja ekonomike shkon për pak njerëz. Shqipëria duket një vend i tillë dhe politikat e saj fiskale janë një element me ndikim të patjetërsueshëm në këtë drejtim. Vërtet që kontrolli i shoqërisë është duke u marrë nga fituesi i ekonomisë. Shembuj të tjerë ka në botë, por janë larg nga Evropa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›