E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Çdo ndërhyrje e policisë me forcë, provokim

TIRANË- Pas apelit të Policisë së Shtetit se deputetët e opozitës dhe protestuesit e ngujuar në grevë urie duhet të zhbllokojnë bulevardin "Dëshmorët e Kombit" reagoi edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Ai theksoi se çdo ndërhyrje e Policisë së Shtetit e ndikuar nga mazhoranca do të ishte një provokim të patolerueshëm. Rama vuri në dukje se Policia e Shtetit është një pasuri kombëtare dhe do të ishte mjaft e rëndë për të nëse do të ndikohej nga urdhrat e pushtetit politik. Për këtë arsye, sipas tij, duhet të kërkohet reflektim i pushtetit ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive dhe jo përfshirje e tij në punën e policisë. "Do të ishte një provokim i patolerueshëm dhe një nxitje e pajustifikueshme tensioni që duhet mirëadministruar në një kohë kur kërkohet vetëm reflektim i pushtetit për hapjen e kutive të zgjedhjeve", - tha dje Rama. Ai shtoi çdo përpjekje kundër opozitës do të ishte e turpshme dhe do të tregonte vetëm dëshpërimin e disa njerëzve. Ndaj kërkesës së Policisë së Shtetit kanë reaguar edhe deputetë të tjerë të opozitës. Deputeti socialist Ditmir Bushati theksoi se Policia e Shtetit dhe garda janë vënë në funksion të pushtetit. Bushati i bëri apel edhe Kryeministrit Sali Berisha që të mos keqpërdorë Policinë e Shtetit si dhe Presidentit Bamir Topi duke I kërkuar këtij të fundit të marrin rolin që i takon. "Kam përshtypjen se policia e shteti dhe garda e policisë janë vënë në funksion të pushtetit dhe jo në mbarëvajtje të protestës, janë bërë palë. Nuk ka polici që mund të pengojë protestën ligjore të qytetarëve. Është një e drejtë që i përket popullit dhe askush nuk mund ta kushtëzojë" - u shpreh Bushati.Policia e Shtetit i kërkoi dje Partisë Socialiste që të zhbllokojë bulevardin "Deshmoret e Kombit", pasi në të kundërt, qëndrimi i protestuesve për ditë të tëra aty përbën vepër penale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›