Basha: Prokuroria shkeli ligjin me akuzat ndaj meje
Ish-ministri i transporteve ka akuzuar Prokurorinë se po fabrikon akuza politike ndaj tij për rrugën Rrëshen-Kalimash
Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha pasi ka shmangur kontaktin me prokurorët për t’u ballafaquar me akuzat që rëndojnë në lidhje me abuzimet e kryera në rrugën Rrëshen-Kalimash, ka zgjedhur komunikimin me mediat për t’i hedhur poshtë ato si të pavërteta dhe të montuara politikisht. Për më shumë se 30 minuta Basha është përpjekur të sqarojë pozicionin e vet në gjithë këtë histori, duke theksuar edhe një herë se e gjithë procedura e ndjekur në tenderimin dhe ndërtimin e kësaj rruge është bërë në korrektësi të plotë me ligjin dhe standardet e kërkuara nga institucionet ndërkombëtare që e monitorojnë ndërtimin e saj. Nisur pikërisht nga kjo bindje ai nuk ka ngurruar të sulmojë hapur organin e akuzës si të vënë nën diktatin e segmenteve të ndryshme politike, që sipas tij fabrikojnë akuza të pabaza. “Është një proces i pastër politik i cili po kompromenton rëndë detyrimet ligjore të prokurorisë shqiptare para Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe shtetit ligjor”,- tha Basha. Në fjalën e vet ai është ndalur tek akuzuat që organi i prokurorisë ka ngritur më së fundi ndaj tij, duke u shprehur se ky institucion ka vepruar duke shkelur ligjin dhe vendimin e Gjykatës. Basha ka sqaruar se organi i akuzës në kundërshtim me vendimin e Gjykatës për të mos vijuar më tej hetimet për rrugën Rrëshen-Kalimash, ndërmori një hap tjetër në këtë drejtim duke guxuar kësaj radhe të ngrejë akuza direkte edhe ndaj tij. “Gjykata e Tiranës ka vendosur pas një kërkese nga z. Andi Toma dhe Armand Teliti, që të urdhërojë Prokurorinë që të mbyllë hetimin në këtë çështje. Është urdhëruar që çështja numër një e vitit 2007 të mbyllet. Mund të rikujtoni edhe një deklaratë të vetë Prokurores së Përgjithshme e cila ka deklaruar se do t’i bindet vendimit të gjykatës pavarësisht se nuk është dakord me të. Vetëm 24 apo 48 orë pas kësaj deklarate të vetë Prokurores së përgjithshme vjen një shkresë, një letërnjoftim e cila siç keni parë nga ana e avokatit tim konsiderohet një shkelje e urdhrit të gjykatës, pasi ndërkohë që urdhërohet përfundimi i hetimeve, Prokuroria kërkon të ndërmarrë veprime që janë në seancë”, - tha Basha. Lidhur me çështjen se pse ai nuk ishte paraqitur në Prokurori, ai ka shpjeguar se organ i akuzës ka bërë një shkelje të ligjit, pasi në momentin që ajo u urdhërua nga gjykata të mbyllë hetimet, nuk mund të ndërmerrte asnjë veprim të mëtejshëm në këtë hetim. Pavarësisht kësaj ai është shprehur i hapur që t’i përgjigjet kërkesave të prokurorisë, megjithëse gjatë javës që shkoi nuk iu përgjigj një fletëthirrjeje të saj për t’u paraqitur në këtë organ për t’u njohur me akuzat. Por nga ana tjetër ai ka kërkuar që edhe kryeprokurorja t’i bindet ligjeve dhe të zbatojë vendimin e gjykatës për të ndërprerë hetimet. “Unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë që nga momenti i parë që do t’i bindëm gjithmonë dhe pa asnjë ligjeve të vendit dhe kërkoj që të gjithë aktorët këtu pavarësisht demotivimeve, apo urdhrave që marrin t’i binden ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, - tha Basha. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se për të gjitha shkeljet e organit të akuzës për këtë çështje, ai dhe avokati i tij do të ndërmarrë hapat e duhur ligjor, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se do të padisë këtë institucion për shkelje të ligjit. “Prokuroria duhet të gjejë vendin dhe veten e vet siç e përcakton ligji dhe çdo veprim i saj antiligjor dhe në kundërshtim flagrant të ligjit do të jetë subjekt ihapave ligjor që do të marrim nga ana jonë”, - tha ish-ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, i cili ka shtuar se as javës së ardhshme nuk do të mund të paraqitet në prokurori pasi do të gjendet në një turr takimesh jashtë vendit.
------------------------------------------------------------------------PS: Basha po përpiqet të fshihet pas petkut të politikë
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste, ndaj mbrojtjes mediatike që bëri dje Ministri Lulëzim Basha për akuzat që organi i akuzës ka ngritur ndaj tij për abuzime me fondet publike në rrugën Rrëshen-Kalimash. Në një komunikim me mediat zëdhënësja e kryesisë, Mimi Kodheli, duke marrë shkas nga deklarata e Bashës ka theksuar edhe njëherë se ai po i bën një dem shumë të madh përfaqësimit të Shqipërisë përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mimi Kodheli ka bërë të ditur se ndaj Bashës është ngritur përveç akuzës për abuzime në rrugën Durrës-Kukës edhe akuza e shpifjes ndaj kreut socialist Edi Rama. “Është dita për të kujtuar se Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit edhe një tjetër heqje imuniteti për Lulëzim Bashën, pas asaj për vjedhje. I ka kërkuar heqjen e imunitetit për shpifje ndaj Edi Ramës, i cili e ka paditur në gjykatë Lulëzim Bashën, duke i dhënë mundësinë të faktojë shpifjet e tij”, -tha Kodheli. Kodheli e ka cilësuar konferencën për mediat të Bashës dhe fjalën e tij si një përpjekje të një të pandehuri që kërkon që ta kthejë çështjen për grabitje fondesh publike në një çështje politike. “Kjo lule e spikatur e korrupsionit në oborrin qeveritar, është në vetvete fakti më jetësor i shprehjes “bërtet hajduti, kapeni hajdutin” dhe shëmbëlltyra më kuptimplotë e degjenerimit të qeverisë së duarve të pastra, në një çiflig punësh të pista. Ministri i pandehur i Punëve të Jashtme, i bën Shqipërisë dhe Kosovës sot një dëm të madh. Lulëzim Bashës i themi të mos e ndotë më mjedisin publik me kundërakuza banale, por të çohet nga karrigia e Ministrit dhe të ulet në karrigen e të pandehurit,”-tha zëdhënësja e kryesisë së PS-së.