Festa e luleve Topalli e Ruli ne Shkoder

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, morën pjesë në aktivitetet e zhvilluara në Bushat me rastin e festës së luleve, festë e kthyer tashmë në traditë në këtë zonë. Ministri Ruli dhe Kryetarja e Kuvendit, theksuan vendosmërinë e qeverisë shqiptare në krijimin e kushteve sa më të mira për fermerët që merren me blegtori dhe bujqësi. Ata theksuan se eksportet e produkteve “made in Albania” kanë njohur rritje 3 herë më shumë krahasuar me vitet e tjera.
Më pas Kryetarja e Kuvendit u ndal në Shkodër, për të marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara me rastin e festës së luleve në qytetin e saj të lindjes. Pasi vizitoi panairin, në një deklaratë për mediat, Topalli tha se Shkodra e ka në traditë kulturën dhe mbajtjen e luleve, duke i konsideruar ato si simbol të shpresës dhe bukurisë.
Këto organizime konsistonin në krijimin e panaireve me shumëllojshmëri produktesh, duke filluar nga lulet, si simbol i kësaj dite, e deri tek prodhimet bujqësore bio, nga vetë fermerët.