Festa e mësuesit festohet në Londër
Edhe pse mbas 122 vjetësh, edhe pse jo në tokën mëmë por në një shtet të huaj, përsëri shqiptarët nuk e harrojnë festën e 7 Marsit. Ajo që bëri që kjo datë të shënohet si Festa e Mësuesit në kalendarin e çdo shqiptari ishte pikërisht 7 marsi i vitit 1887, ku në Korçë për herë te parë u hap mësonjëtorja e parë shqipe me drejtues të saj figura të njohura të Rilindjes Shqiptare si : Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami etj.
Hapja e kësaj shkolle ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, i cili deri atëherë kishte qenë i detyruar që mësimdhënien ta ushtronte në mënyrë të fshehtë nëpër shtëpi. Këtë ngjarje te rëndësishme në historinë e Shqipërisë , përkujtimin e rëndësisë se shkollës shqipe e festuan përsëri shqiptarët e shoqatës sonë Ardhmëria , të cilët kishin vendosur që festën ta festoni në Queenspark, ku ndodhet edhe numri më i madh i nxënësve. Jemi krenarë të themi që edhe pse kemi vetëm 5 vite që jemi hapur dhe jemi të bazuar vetëm në Londër ,kemi gjithsej 465 fëmijë shqiptare të moshave 5-15 vjeç, të cilët mësojnë në 6 shkollat tona suplementare. Nxënësve shqiptarë këtu ju mësohet shqip, anglisht, matematikë si dhe art. Shumica e nxënësve që kanë ndjekur shkollat tona suplementare kanë pasur një rritje të dukshme në rezultatet e tyre shkollore dhe kjo shpjegon edhe faktin përse akoma më tepër nxënës duan dhe janë në pritje për të hyrë në shkollat tona. Për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë dhe bën shoqata Ardhmëria duhet të falënderojmë drejtorin e shoqatës z.Lutfi Vata dhe gjithë stafin pedagogjik duke mos harruar këtu edhe vullnetarët e shumtë që na ndihmojnë duke na dhënë kohën e tyre. Gjithashtu një falënderim i veçantë i shkon edhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në MB dhe Irland z.Zef Mazi dhe Ambasadorit të Kosovës z.Muhamet Hamiti për mbështetjen e vazhdueshme që na japin. Duke iu uruar të gjithë mësimdhënësve shqiptarë kudo që ndodhen nëpër botë Gëzuar Festën e 7 Marsit, të gjithë shqiptarët në Londër u bashkuan me ne në Queenspark për të festuar këtë festë kaq të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që festat dhe traditat tona tia lëmë trashëgim edhe fëmijëve tanë.