E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, digjet kamioni që punonte në Kakome, dyshohet nga niviciotët

Në mëngjesin e ditës së djeshme, në fshatin Shën Vasil të komunës së Bregdetit, u gjend i djegur kamioni me targa SR 50 64 B tip Benc. I pari që është përballur me djegien e kamionit ishte pronari, Fotaq Buzhaku, i cili ka njoftuar sektorin e kriminalistikës në Komisariatin e Sarandës. Pronari me makinën kamion ishte i kontraktuar për të punuar  në Kakome për llogari të firmës Rivera, që është duke punuar për ndërtimin e fshatit turistik në Gjirin e shumëpërfolur. Për të filluar punë, firmës në fjalë i është dashur të përballet me kundërshtimin energjik të banorëve të fshatit Nivicë, që për muaj me radhë bllokuan kalimin e mjeteve të firmës, duke mos i lejuar ata të futeshin në Kakome me pretekstin se ishin pronarë të ligjshëm të tokës në Gjirin me të njëjtin emër. Policia ka arritur në orët e para të mëngjesit, për të dokumentuar ngjarjen dhe për të hetuar në pistat e mundshme që janë bërë shkak për dëmtimin tërësor të kamionit të transportit. Sipas dyshimeve të pronarit dhe ngjarjeve të këtyre muajve të fundit, pista e zjarrvënies është ajo me dashje nga ndonjë banor i Nivicës, për shkak të punës që kryente pronari dhe mjeti në Kakome. Zjarrvënia është kryer për shkaqe të motivuara edhe nga mëritë dhe inatet personale me pronarin e mjetit. Vetëm një ditë më parë kanë lënë qelitë e paraburgimit e me vendim gjykate katër të ndaluarit nga policia për kundërshtimin e forcave të policisë në tubimin e Kryqëzimit të Kakomesë, të cilët kanë mbërritur në fshatin Nivicë për të kryer dënimin me masën e Burgut në shtëpi. Kjo mund të jetë pista e dytë e festimit në formën e fitores mbi kundërshtarin". Njëkohësisht, sipas ekspertëve do të ndiqen gjatë hetimit edhe pistat e tjera si e zjarrit nga defekti elektrik, shkëndijë etj.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›