E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa, mes çmimeve të shtrenjta dhe gëzimit për të dhuruar

Jashtë është ftohtë, temperaturat shënojnë minus. Brenda, xhamat e dritareve kanë krijuar avull, nga e ngrohta e shtëpisë. Fëmijët shikojnë nga dritaret nëse do të bjerë ndonjë flokë dëbore, apo nëse në qiell duket slita e Plakut të Vitit të Ri, ashtu si kanë lexuar në libra, siç kanë parë në televizor. Pushimet e dimrit pothuajse kanë filluar. Pema e Vitit të Ri është gati, e bukur, me drita, zbukurime, pambuk dhe plot ngjyra. Pritet të mbërrijnë vetëm dhuratat për fëmijët. Festën e ndiejnë më shumë ata. Nëse më parë gëzimi i festave të fundvitit ishte "bollëku" i një tavoline të shtruar bukur, pas viteve ‘90 kjo festë është kthyer në një ritual shpenzimesh, harxhimesh dhe konsumit të gjerë. Nëse më parë të gjithë mendonin se do ushqeheshin pak më shumë, do të hanin sallatë ruse, apo do të pinin pak më shumë se zakonisht, gëzimi i festave sot, mbeten udhëtimet, dhuratat, zbukurimet, llojshmëria e ushqimeve, shpërblimet.
Kjo për ata që jetojnë mbi nivelin jetik, madje që konsiderohen se janë në gjendje të mirë ekonomike. Për pjesën tjetër, ata që jetojnë poshtë vijës së minimumit jetik, pensionistë, të varfër apo edhe rrogëtarët, festat do të jenë një tavolinë, pak më ndryshe se ditët e tjera dhe ndonjë "surprizë" më shumë.
Çmimet
Sot shënon data plot 25 dhjetor. Pak ditë më parë, çmimet e frutave, perimeve, ushqimeve, ato që përdorim çdo ditë në shtëpitë tona për të përgatitur vaktet, janë rritur në stratosferë. Madje, pritet të rriten edhe më shumë. Një shishe verë, një shishe birrë, një shishe raki, pak mish, apo ndonjë pulë do të jetë festa për pensionistët që jetojnë vetëm. Ata që janë me fëmijët do të jenë më të gëzuar jo vetëm se do të jenë më të shumtë në numër, por do të kenë më shumë mundësi për të festuar. Duke u ngjitur në ‘hierarkinë‘ e shoqërisë shqiptare, shkalla e mesme, do të ketë mundësi që me çmimet dhe rrogat të përgatisë një tavolinë të mirë, të blejë dhurata modeste dhe të plotësojë ndonjë kërkesë të fëmijëve të parritur kapriçozë.
Të pasurit do të kenë mundësi jo vetëm të kenë një tavolinë luksoze, por të prenotojnë në restorante të shtrenjta, të njohura, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Udhëtime të organizuara në grup, prenotime, aktivitete masive për të gjithë ata që kanë mundësi. Sa u takon të rinjve apo adoleshentëve, si përherë ata janë rregulluar duke mos i lënë mangët vetes, as shpenzimet për paraqitjen e jashtme, as qejfin për t‘u mbledhur diku, me pak apo me shumë para, sido të jetë mundësia.
Fëmijët
Fëmijët janë më të lumturit. Ata nuk i dinë hallet, çmimet, vështirësitë apo problemet. Ata dinë që është festë, Plaku i Vitit të Ri do t‘u sjellë dhurata, mami, babi, gjyshërit dhe të afërmit do t‘u plotësojnë kërkesat dhe shtëpia bashkë me qytetin shkëlqejnë nga dritat, sepse erdhi Viti i Ri.
Në çerdhe, në kopsht, në shkollë janë zbukuruar ambientet, janë vendosur drita, poça shumëngjyrësh dhe shumë lodra, çmimet e të cilave janë trefishuar duke krahasuar me një vit më parë.
Jo vetëm çmimet e lodrave, ushqimeve, frutave, prenotimeve, dhuratave, luleve. Mes rritjes së çmimeve është ulur edhe vlera e euros. Blihet më shtrenjtë, por shitet më lirë. Koha e kthimit të emigrantëve, është më e mira për të shfrytëzuar detaje të tilla. "Refugjatët‘ nga e gjithë bota, vijnë për të festuar pranë të afërmve, pavarësisht se qyteti i lindjes nuk ofron as zbukurimet e qyteteve nga vijnë, dhe as ofertat promocion që bëhen në të gjithë botën me rastin e festave. Do të blejnë më shtrenjtë, do të shpenzojnë më shumë, por të paktën ia vlen barra qiranë, sepse do të jenë me të dashurit.
Dhuratat janë ato që na bëjnë të gjithëve të lumtur. Shumë apo pak, kjo është koha ku secili merr diçka sado e vogël të jetë, një pako që të kujton se dikush mendon të festojë bashkë me ty. Sot janë Krishtlindjet, të gjithë festojnë bashkë, tryezat janë më të bukura, qyteti është më i ndriçuar, fëmijët janë më të gëzuar, shtëpitë pak më të ngrohta sesa jashtë. Ata që s‘kanë të afërmit pranë, që u mungon diçka apo dikush, me siguri do të kenë ndonjë surprizë! Sot është nata e mrekullive...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›