E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa pagane dhe akuzat e politikanëve

 Nga qyteti, ku festoi më së shumti kjo ditë pagane pa ndonjë domethënie, dy liderët e politikës shqiptare, nuk harruan të shkëmbenin akuza në distancë për zhvillim ekonomik të vendit. Berisha tha se vendi ka një rritje të ndjeshme ekonomike dhe këtë e dëshmojnë edhe panairet e shumta të bizneseve.

“Kjo festë festohet në mbarë Shqipërinë, por ju e keni shpallur sot Elbasanin kryeqytet të vendit, pasi keni meritën e ruajtjes së kësaj tradite dhe feste pagan. Shpreh kënaqësinë për prodhimet e rrethit të Elbasanit, në të gjitha veprimtaritë e biznesit. Në këtë 100- vjetor të shtetit shqiptar , ne lëvizim të lirë drejt Evropës, festojmë më mirë se kurrë dhe në këtë stuhi të fuqishme të krizës botërore, pasi Shqipëria vazhdon të ketë ekonomi të qëndrueshme dhe rritje të prodhimeve të biznesit”, tha midis të tjerash kryeministri.

 Ai shtoi se Qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin dhe klimën e biznesit dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirat ndaj tij.  “Pak javë na ndajnë nga dita e Tunelit që do të dalë në Tiranë, dhe në 14 Marsin e vitit tjetër Tirana do të festojë në Elbasan , Ditën e Verës, siguroi Berisha.  Kreu i qeverisë premtoi gjithashtu se do të mbështesë bashkinë e Elbasanit, me qëllim që të gjitha kodrat e këtij qyteti të kthehen në parqe të bukur. Ndërsa i premtoi biznesit për mbështetje nga ana e  Qeverisë , kryeministri Berisha i cilësoi ata  promotorë të zhvillimit të vendit.      

Rama: Me programin e PS, e ardhmja si kjo ditë

Edhe kreu socialist, Rama, ishte sot në Elbasan, me rastin e Ditës së Verës, ku nuk la pa përmendur edhe programin e tij politik, atë të Rilindjes Shqiptare. “Festa popullore e verës ne Elbasan bashkë me diellin e kthyer në qytet kanë lehtësuar sot plagët sociale e hallet e njerëzve të zakonshëm. Qytetarët e meritojnë një Rilindje Shqiptare që do të bëjë të mundur që të kenë punësim dhe të paguhen në mënyrë të ndershme. Ne do të hapim një kapitull transformues”, tha Rama për mediat.

Duke marrë shkasë edhe nga dita me diell e kësaj të mërkure, Rama tha se me programin e Partisë Socialiste, shqiptarët do të mund të udhëtojnë si në këtë ditë drejt së ardhmes. "Bashkia e Elbasanit ka bërë shumë punë të mira në qytet,por Elbasanit dhe Shqipërisë u duhet një Rilindje Shqiptare ne ekonomi e shërbime", vijoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-14 13:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›