Meta: Shqipërinë po e mban larg statusit, vetëm mungesa e dialogut pozitë-opozitë

Ilir Meta
GJIROKASTËR- Për më shumë dialog politik ka apeluar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në një prononcim për mediat nga Parku Arkeologjik i Antigonesë, ku ishte i ftuar për të festuar së bashku me Lëvizjen Rinore për Integrim Ditën e Verës.
Meta ka theksuar se përveç dialogut, Shqipëria i ka përmbushur detyrimet për të marrë statusin e vendit kandidat. Zhvillimet politike kërkojnë më shumë dashuri. Edhe nëse kjo do të jetë e vështirë, të paktën dialogu nuk është i pamundur. Është mirë që Shqipëria të hedhë atë hap që duhet ta kishte hedhur prej 2-3 vitesh, të marrjes së statusit të vendit kandidat, sepse i vetmi problem ka qenë mungesa e dialogut politik dhe disa reformave që kanë në bazë këtë dialog, pasi në kriteret e tjera Shqipëria i ka plotësuar mendoj të gjitha ato kërkesa që janë vendosur nga ana e Komisionit Evropian, është shprehur Meta.
Gjithashtu kreu i LSI-së ka vlerësuar arritjen e konsensusit për Gjykatën Administrative, të cilin e ka cilësuar si të vonuar, por të nevojshëm. Ngritja e Gjykatës Administrative ishte e votuar, por më mirë vonë se kurrë, ka theksuar më tej ai. I shoqëruar nga deputeti i qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo, Meta përveç festimeve ka kryer takime edhe në disa zona, si në Dropull dhe në Libohovë. /E.Bani/