Festat, 5 mijë emigrantë hyjnë në Kakavijë
KAKAVIJË - Fundjava ka sjellë një fluks të lartë emigrantësh. Në rreth 5 mijë llogaritet numri i hyrjeve gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës, ndërsa nuk ka pasur probleme pritjeje apo radhësh. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se sportelet do të çelen në varësi të lëvizjeve. "Nga pala shqiptare në hyrje punohet me 5 sportele dhe kjo do jetë në varësi të fluksi. Nga pala greke punohet me 2 sportele në dalje dhe 2 në hyrje , pasi pala greke gjatë hyrjes së emigrantëve për në Shqipëri nuk aplikon procedura kontrolli të njëjta si ato që aplikon gjatë hyrjes së emigrantëve për në shtetin grek", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Gentian Mullai.
Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit ka hartuar planin e masave për përballimin e fluksit të emigrantëve që do tyë kthehen në atdhe për festat e fundvitit. Rritja e sigurisë në rrugë, parandalimi i aksidenteve, rritja e masave në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme, që mund të zhvillohen në pikat e kalimit apo në kufirin e gjelbër duke përfituar nga fluksi i emigrantëve janë pikat kryesore në të cilat mbështetet ky plan.