E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, Topi mesazhe urimi nga kryetarë shtetesh

TIRANË- Zry për shtyp e Presidentit bëri të ditur se Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë mesazhe urimi nga personalitete ndërkombëtare dhe kryetarë shtetesh me rastin e 28 Nëntorit, Festës Kombëtare të Shqipërisë.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun në mesazhin e tij thotë se në kuadër të sfidave globale, Kombet e Bashkuara duhen tani më tepër se kurrë. "Puna jonë është kyçe në shumë fusha me interes të ndërsjelltë, nga paqeruajtja e deri tek ruajtja e të drejtave të njeriut dhe ndërtimi i një bote më të begatë, më të barabartë dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Ndërsa ndjekim këtë mision, na jep zemër fakti se Kombet e Bashkuara mund të mbështeten në kontributet, përkushtimin dhe mbështetjen e Shqipërisë", citohet mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Urimet më të mira e të përzemërta për zhvillim e prosperitet, mirëqenie e stabilitet të popullit shqiptar, Presidenti i Republikës ka marrë dhe nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç, nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, nga Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Tyrk, Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, Presidenti i Polonisë Lech Kazinski, etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›