E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX: Po hetojmë akuzat e ish- SHIK-it për vrasjet politike

Polica e Kosovës dhe ajo e EULEX-it thanë se po hetojnë pohimet e bëra publike nga një ish pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës për përfshirje në vrasje politike pas luftës në Kosovë. Ndonëse pohimet u bënë publikisht të dielën në Prishtinë, policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për arrestimin apo marrjen në pyetje të denoncuesit, i cili akuzon struktura të larta të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato tendenca për të dëmtuar zhvillimet politike në vend.
Të dielën është prezantuar publikisht në qendër të Prishtinës dëshmitari i shumëpërfolur për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Nazim Bllaca, nga fshati Ribar i Madh, para gazetarëve ka pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet. Ai nuk e ka përmendur emrin e personit të vrarë, duke thënë se kjo është e ditur për prokurorinë e EULEX-it. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, ngaj 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm që të mos i publikonte këto informata.
Ndërsa deputetët e LDD-së, Adem Salihaj dhe Gani Geci, në një konferencë për media ua kanë shpërndarë gazetarëve CD-në me dëshmitë për vrasjet e pasluftës në Kosovë në mënyrë që populli ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe kush janë vrasësit.
Adem Salihaj ka thënë se CD-ja me dëshmitë i është dorëzuar EULEX-it para 1 muaji e 20 ditëve, por misioni evuopian nuk e ka marrë seriozisht punën. Ndërsa, Gani Geci ka shpjeguar mënyrën se si dëshmitari iu është ofruar për të biseduar. Geci ka thënë se nuk e kanë publikuar materialin më herët, duke mos dashur të pengojnë procese të rëndësishme në Kosovë. Lidhur me këtë rast, RTV21 ka kontaktuar policinë e Kosovës, por zëdhënësi i saj Baki Kelani ka thënë se nga eprorët e tij është marr vendimi që policia të mos deklarohet rreth këtij rasti. Kelani ka theksuar se policia nuk e ka arrestuar Nazim Bllacën i cili vetë deklarohet se është autor i një vrasjeje dhe pjesëmarrës i disa të tjerave. Ai përmes telefonit tha se me këtë rast po merren hetusit e EULEX-it.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›