E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, BE miratoi listën e bardhë të Ballkanit

BRUKSEL -Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian miratuan propozimin e Komisionit për heqjen e vizave Shengen me ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë. Me këtë vendim, këto vende vihen në listën “e bardhë” Shengen, që nënkupton se nuk do duhet të aplikojnë për viza për vendet e BE-së, përveç për në Britani dhe Irlandë. Qytetarët e këtyre vendeve do të mund të qëndrojnë në vendet e BE-së më së shumti 3 muaj gjatë një gjysmë viti, por pa të drejtë për të punuar.

Vendimi, i cili hyn në fuqi në 19 dhjetor, 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, që do të thotë se qytetarët serbë, malazezë e maqedonas, të pajisur me pasaporta biometrike mund të festojnë Krishtlindjet jashtë vendit të origjinës. Megjithëse Shqipëria dhe Bosnja nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve përfituese për heqjen e regjimit të vizave, ministrat e Brendshëm të të dy vendeve janë ftuar në ceremoninë zyrtare të së hënës nga presidenca suedeze. Iniciativa për stabilitetin europian vlerëson se heqja e regjimit të vizave për Shqipërinë mund të arrihet dhe përpara korrikut 2010, nëse progresi i përshkruar në letër nga autoritetet shqiptare do të rezultojë dhe në terren nga ekspertët europianë.

Alexandra Stiglmayer, eksperte në Iniciativa e Stabilitetit Europian shprehet: “Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë shumë progres muajt e fundit. Tani, Komisioni duhet të vlerësojë këtë progres, që ne shpresojmë se do ta bëjë sa më shpejt, e më pas Komisioni do të bëjë një propozim legjislativ. Nëse gjithçka shkon mirë, Shqipëria dhe Bosnja mund të kenë ndoshta një regjim pa viza në prill-maj të vitit të ardhshëm edhe pse data më reale e synuar duket korriku”.

Për Kosovën vlerësohet emergjente dhënia e një udhërrëfyesi të ngjashëm për të nisur procesin e lehtësimit e më pas liberalizimit të vizave. Ekspertet thonë se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete të BE-se nuk ndikon për procesin e vizave Shengen. “Politika e vizave s’ka të bëjë fare me çështjen e statusit. Komisioni po negocion aktualisht me Tajvanin, për të lënë mënjanë kërkesën për vizë ndaj qytetarëve të Tajvanit dhe Tajvani nuk njihet nga vende të veçanta të BE-së. Ndaj nëse është e mundur që t’i ofrohet heqja e vizave Tajvanit, atëherë është e mundur që kjo gjë t’i ofrohet dhe Kosovës”, - shton Stiglmayer. Procesi i liberalizimit të vizave përfshin udhëtimet afatshkurtra, kryesisht turistike, jo më shumë se 90 ditë të qytetarëve të rajonit në vendet europiane të marrëveshjes Shengen. Për një qëndrim më afatgjatë në këto shtete, apo për të punuar në vendet e BE-së, qytetarët duhet t’u drejtohen sërish shërbimeve konsullore. Heqja e regjimit të vizave bën të mundur lëvizjen e qytetarëve pa marrë vizë të posaçme Shengen, por çdokush mbetet subjekt i vlerësimit nga autoritetet kufitare për refuzim të kalimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›