OBSH, apel për të mos refuzuar vaksinën e A/H1N1
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje popullsisë në mbarë botën, që të mos refuzojë vaksinimin nga gripi i derrit. Ky apel vjen pas një analize që ekspertët e OBSH-së i kanë bërë rasteve të fundit në Kanada ku vaksina e A/H1N1 shkaktoi vdekjen e disa personave të cilët e aplikuan. Sipas OBSH, bëhet fjalë vetëm për një lot të vaksinës pandemike H1N1 në Kanada e cila duket se ka rezultuar mbi normat e lejuara përsa i takon reaksioneve alergjike nëse do ta krahasonim me lotët e tjerë të vaksinave në Kanada. Ky lot përfshinte 172,000 doza vaksine dhe është përdorur vetëm në pesë provinca të Kanadasë, dy prej të cilave raportuan raste me reaksione alergjike më shumë se ç'pritej. Vaksina nuk është eksportuar jashtë Kanadasë për përdorim. OBSH sqaron se për arsye të sistemit me cilësi të lartë të monitorimit në Kanada për reaksionet e papëlqyeshme pas imunizimit, kanadezët ishin në gjendje të zbulonin këtë dhe aktualisht nuk ka probleme me lotët e tjera nga i njëjti prodhues dhe fushata e vaksinimit nuk ka ndaluar. Sipas këtij organizmi, aktualisht Kanadaja ka vaksinuar rreth 22 për qind të popullsisë së saj. Veprimi i ndërmarrë nga autoritetet kanadeze shëndetësore ka qenë mos-përdorimi i vaksinave nga ai lot i veçantë. Duke pasur parasysh fushatat e vaksinimit që po zhvillohen në vende të ndryshme (OBSH vlerëson se rreth 85 milionë njerëz janë vaksinuar në rang botëror) mund të thuhet se reaksionet e papëlqyeshme janë të rralla. Rezultatet sot tregojnë se nga pikëpamja e sigurisë vaksina e pandemisë është e ngjashme me atë të vaksinës së gripit stinor. OBSH rithekson se rreziku që paraqesin reaksionet e padëshiruara nga vaksinat janë gjithsesi shumë më të vogla sesa rreziku për sëmundje serioze që ka popullata në risk nga gripi pandemi.