Festat e fundvitit, kërkesa të shumta për jashtë vendit
21/12/2009 Agjencitë turistike prenotime më të larta këtë vit
Shtohet fluksi i kërkesave për kalimin e natës së ndërrimit të viteve në Mal të Zi dhe Maqedoni
Shtohet fluksi i kërkesave për kalimin e ditëve festive jashtë vendit. Agjencitë turistike raportojnë një numër të madh rezervimesh nga shtetasit shqiptarë për kalimin e pushimeve të fundvitit jo vetëm pranë vendeve fqinje, por edhe në shtetet më të kushtueshme. Prej javësh agjencitë turistike kanë publikuar ofertat dhe paketat turistike, të cilat kanë joshur në masë qytetarët shqiptarë, çka është reflektuar me një rritje të numrit të rezervimeve të bëra krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mali i Zi dhe Maqedonia, por dhe Turqia e Egjipti mbeten vendet më të kërkuara për shkak edhe të çmimeve më të arsyeshme. Por nuk janë të pakta edhe rezervimet e bëra për vendet e Evropës, ose siç etiketohen ndryshe vendet e luksit. Sipas ndarjes që bëjnë këshilluesit turistik, thuhet se edhe për këtë vit respektohet ndarja tradicionale e kalimit të festave në një nga vendet e luksit nga shtresat e pasura, ndërsa shtresat e mesme kanë preferuar që të shkojnë për të festuar në një nga shtetet fqinje. Konkretisht pika turistike e Mavrovës dhe Kolashima mbeten ndër më të kërkuarat nga shqiptarët.
Paketat
Në paketat turistike përveç natës së ndërrimit të viteve parashikohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera, të cilat zhvillohen në mënyrë të organizuar, ku përfshihen edhe ekskursionet apo vizitat në vendet me përmbajtje historike. Sipas të dhënave, rezulton se edhe për këtë vit pjesën dërrmuese të prenotimeve e zënë familjet, por nuk mbeten pas edhe grupet e të rinjve, të cilët janë organizuar në grupe për kalimin e festave jashtë vendit. Vendet e Evropës mbeten ndër më të kushtueshmet, por edhe më të vështirat për t’u arritur, pasi agjencitë sigurojnë akomodimin vetëm në rastet kur shtetasit kanë siguruar vizën. Kështu, në pagesat e kryera për këto paketa nuk përfshihen në çmime gjithçka që ka të bëjë me sigurimin e vizës, hyrjet në monumente dhe muze, shëtitjet me anije. Kalimi i festave në këto shtete arrin nga 1000 deri në 3 mijë euro, në varësi të vendit dhe hotelit të përzgjedhur. Për këtë vit kalimi i festave në Dubai do të kushtojë nga 850 deri në 1100 euro, sipas llojit të hotelit të përzgjedhur. Ndërsa në vendet e tjera, si në Turqi e Egjipt çmimet variojnë nga 300 deri në 800 euro për person, edhe kjo në varësi të llojit të vendqëndrimit të përzgjedhur. Sipas programit të hartuar, qëndrimi në këto shtete do të zgjasë nga tri deri në 6 ditë, të cilat kushtëzojnë edhe ndryshueshmërinë e çmimit.
Vendet fqinje
Mavrova mbetet një ndër pikat më të kërkuara për kalimin e festës së ndërrimit të viteve. Konkretisht akomodimi në një nga hotelet e kësaj pike për tri net do të kushtojë 285 euro për person (në dhomë dyshe). Çmimi përfshin akomodimin në hotel, mëngjeset dhe darkat për netët e qëndrimit. Për fëmijët nga 0-2 vjeç gjithçka do të ofrohet falas, ndërsa për fëmijët më të rritur parashikohet ulje e çmimit deri në 50 për qind. Ndërsa kalimi i festës së Krishtlindjeve në “Bistra” kushton rreth 170 euro për person. Çmimi përfshin dy net akomodim në hotelin “Bistra”, mëngjeset dhe darkat për netët e qëndrimit, organizimin e darkës për Krishtlindjeve, taksa e qëndrimit e detyrueshme, përdorimi i pishinës, sauna, jaçuzi. Transporti sipas kërkesës 30 euro ekstra, dreka të ndryshme plus shpenzimet personale. Për fëmijëve nga 0-2 vjeç falas (edhe transporti), nga 2-8 vjeç falas në hotel transporti me pagesë dhe nga 8-11 vjeç 85 euro plus transporti sipas kërkesës.