E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e lekëve false për jetë luksi e bixhoz

21/12/2009  25 të arrestuarit falsifikonin lekët për të plotësuar dëshirat e tyre
TIRANE- Për të bërë një jetë luksi dhe plot dëshira, 25 të arrestuarit e operacionit “Piramida” kishin zgjedhur një mënyrë tepër të veçantë, duke falsifikuar shuma të konsiderueshme financiare, të cilat me punë apo me aktivitete të ligjshme nuk kishin mundur t’i vinin dot. Mësohet se anëtarët e grupit të mirëorganizuar kanë shpenzuar miliona lekë të falsifikuara për qejf, blerje makinash dhe bixhoz. Një gjë të tillë e kanë treguar përgjimet e Prokurorisë dhe dëshmitë e të arrestuarve, të cilët kanë vënë në dukje përpara hetuesve se kryenin një jetë luksi, duke mos i munguar asnjë gjë nga ato që kërkonin. E vetmja, peripeci e tyre dhe që shfaqte rrezik për ta, ka qenë kur të arrestuarit nxirrnin lekët nga xhepi dhe ia jepnin “klientit” të tyre, moment ky që sipas hetuesve mund të ndikonte në kapjen në flagrancë të anëtarëve të grupit. Kjo gjë do të ndodhte vetëm atëherë kur qytetarët, do mund të kuptonin se lekët ishin të falsifikuara. Mirëpo këtij rreziku, ata ja kishin hedhur shumë shpesh, pasi në shumicën e rasteve lekët e falsifikuara, përdoreshin për bixhoz, blerjen e dozave të drogës, blerjen e makinave, seks e të tjera. Pikërisht në këto veprimtari ata kishin mundur të gjenin akses, pasi edhe vetë fushat e mësipërme, zakonisht nuk i kushtonin rëndësi vlefshmërisë së shumave financiare. Këtë aktivitet të paligjshëm grupi e kishte shtrirë pothuajse në të gjithë qendrat më të banuara të vendit, duke filluar nga Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, e të tjera. Ndërkohë që nga hetimet e kryera përgjatë 6 muajve nuk ka rezultuar që me paratë e falsifikuara, anëtarët e grupit të blinin objekte apo të hapnin biznese të ndryshme. Gjithsesi në këtë drejtim, prokurorët e njësisë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës do të vazhdojnë verifikimet. Aktualisht nga 25 të arrestuar, 6 prej tyre dyshohen edhe për vjedhje, pasi në banesat e tyre policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, disa maska si dhe mjete që dyshohet se kanë shërbyer për grabitje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›