E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, priten falje për të dënuarit në burgje



Pas deklarimit të Presidentit Bamir Topi në një emision televiziv se do ta ushtrojë të drejtën që i jep Kushtetuta për falje në festat e fundvitit, shtohen shpresat për të dënuarit që plotësojnë kriteret për të përfituar falje të gjithë dënimit apo të një pjese të tij. Ky sinjal pozitiv për të dënuarit vjen pas atij të deklaruar disa javë më parë nga kreu i burgjeve, Gazmend Dibra, i cili u shpreh se janë duke u verifikuar dosjet e të dënuarve në burgje dhe do përgatiten disa për t’i propozuar z. Topi për falje. Mësohet prej burgjeve se të gjitha drejtoritë janë vënë në lëvizje për propozimin e emrave dhe dosjeve përkatëse prej më shumë se një muaji dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve janë duke u bërë verifikimet e fundit. Me ligjin aktual, të drejtën e faljes e ka vetëm Presidenti. Sipas ligjit në fuqi, në vlerësimin e kërkesave apo propozimeve për falje, Presidenti gjykon nëse i dënuari e ka shlyer fajin, për të cilin shoqëria e ka dënuar, si dhe nëse i dënuari e ka arritur rehabilitimin e tij dhe është në gjendje të rikthehet në shoqëri me vlerat që ajo kërkon. Ky vlerësim bëhet në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që vijnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që së bashku me dokumentet që kërkon ligji, sjellin dhe një dinamikë të vuajtjes së dënimit, pra se sa është dënimi dhe sa mbetet për t’u vuajtur, si dhe një karakteristikë për sjelljen e të dënuarit në institucionin e riedukimit. Kjo karakteristikë sqaron nëse i dënuari ka sjellje korrekte në burg, nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore, kontaktet dhe lidhjet e tij me familjen, angazhimi në punët e përgjithshme në burg, pra elemente që tregojnë nëse i dënuari e ka ndier fajin që ka kryer dhe është drejt rehabilitimit të tij social. Në vlerësimin e kërkesave për falje, Presidenti merr gjithashtu në konsideratë gjendjen shëndetësore të të dënuarit, gjendjen familjare të të dënuarit etj. Presidenti nuk ka kufizime në kohë për ushtrimin e të drejtës së faljes. Pra, kur Presidenti gjykon se mund ta ushtrojë këtë të drejtë, ai mund ta bëjë këtë. Duhet theksuar se faljet nuk janë fushata masive, por për shkak të një tradite. Faljet kanë përfshirë si faljen e tërë dënimit të mbetur, ashtu edhe një pjesë të dënimit. Kjo bëhet për t’u treguar të dënuarve dhe të interesuarve të tjerë se autoritetet nuk i kanë harruar, por e kanë rehabilitimin e të dënuarve në vëzhgim dhe e vlerësojnë atëherë kur duhet. Ndërkohë që prej disa kohësh ka nisur puna për ndryshimin e ligjit për faljet nga Ministria e Drejtësisë, duke përfshirë edhe disa rekomandime të Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›