E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e maskuar grabisin kazinonë, arrestohen nga policia



Të maskuar dhe me armë kanë grabitur kazinonë ku punonin, por janë arrestuar më pas nga policia e Korçës. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së dielës, në një kazino në lagjen numër 15 të qytetit juglindor. Uniformat blu kanë vënë në pranga vëllezërit Leonard dhe Endri Bostanxhi, të moshave 40 dhe 34 vjeç, si dhe Kostika Simakun, 43 vjeç. Sipas burimeve nga policia, grabitjen e ka kryer njëri prej vëllezërve Bostanxhi, ndërsa është ndihmuar nga dy të ndaluarit e tjerë. Tre të arrestuarit për grabitje janë shoqëruar në qelitë e komisariatit.

Ngjarja

Në orët e vona të së dielës, një person i armatosur dhe i maskuar është futur në pikën e lojërave të fatit “Admiral Club”, të vendosur në lagjen numër 15 të Korçës. Ai nën kërcënimin e armëve u ka bërë thirrje punonjësve që ndodheshin brenda, që të dorëzonin të gjitha lekët që kishin grumbulluar. Këta të fundit janë bindur dhe i kanë dorëzuar rreth 230 mijë lekë të reja, që janë marrë nga grabitësi. Më pas ky është larguar nga vendi i ngjarjes, i ndihmuar nga persona të tjerë. Menjëherë në lidhje me këtë grabitje është njoftuar policia e qytetit të Korçës, e cila shkoi në vendngjarje.

Hetimet

Policia e Korçës ngriti një grup pune për të hetuar këtë grabitje. U bë këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u morën dëshmitë nga punonjësit gjatë grabitjes.

Në përfundim, agjentët arritën që të identifikonin dhe të vinin në pranga tre autorët e kësaj ngjarjeje, të cilët janë Endri Bostanxhi, punonjës sigurie tek lojërat e fatit “Admiral Club”, vëllai i tij, Leonard Bostanxhi dhe Kostika Simaku, punonjës në pikën e lojërave të fatit “Admiral Club”. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka qenë 40-vjeçari Leonard Bostanxhi që është futur i maskuar dhe ka kryer grabitjen në kazino. Ndërkohë që ai është ndihmuar nga vëllai i tij dhe punonjësi tjetër i pikës së lojërave të fatit. Të tre ata u ndaluan dhe u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›