E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, ja kush përfiton shpërblim në administratë

Autori i Lajmit: Redaksia
Edhe këtë vit Qeveria ka menduar për shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës shtetërore. Mësohet se pjesa dërrmuese do të përfitojnë nga 10 mijë lekë të reja, në nivel qendror dhe lokal. Ndërsa do të ketë përjashtime, kur të bëhet performanca e secilit punonjës, ku kuptohet për punë të mirë do të ketë një shpërblim ekstra. Është Ministria e Financave, institucioni që po harton udhëzimin për ndarjen e këtyre parave, që bazohet në një vendim të Qeve risë të miratuar vetëm në mbledhjen e fundit të saj. Ndërkohë që efektet financiare për të përballuar këto shpenzime do të merren nga fondi që çdo institucion ka marrë që në fillim të vitit. Ky vendim i qeverisë shfuqizon atë të dy viteve më parë për krijimin e fondit të veçantë në institucionet buxhetore.

Përfituesit

Në total, pas përcaktimit të ri që qeveria i bëri numrit të përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, mësohet se janë 89 881 persona të punësuar. Ndërsa në total, në të gjitha administratën, janë rreth 104 mijë persona të tillë. Për personat që do të marrin më shumë se 10 mijë lekëshi i parashikuar në udhëzimin e Ministrisë së financa ve, do të vendosë titullari i institucionit. Ndërsa, ky i fundit ka të drejtë që të japë deri në dy paga shpërblim. Sipas Qeverisë, fondi për shpërblime të nëpunësve shtetërorë arrin masën e 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. “Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se një pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se dy paga mujore në vit”, - thekson vendimi i qeverisë.

Drejtoria e Tatimeve

Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, sipas vendimit, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. “Për Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm”, - nënvizon vendimi. Shpërblimi për rezultate të mira në punë të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. “Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse”, - thuhet në vendim.

Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›