E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, masivitet blerjesh për lodrat e gjelin e detit

23/12/2011  Atmosfera festive ndihet gjithandej, nuk mungojnë edhe uljet e çmimeve në dyqane e tregje

Petku festiv i ndërrimit të viteve ka veshur prej ditësh kryeqytetin, duke e shndërruar atë në një ambient argëtimi e përfitimi për të gjitha grup-moshat. Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e shkuara, krahas fëmijëve fatlumë këtë vit duket se janë edhe tregtarët e produkteve ushqimore si dhe ata të zbukurimeve festive, të cilët pohojnë një rritje të fuqisë blerëse në këtë prag festash. Teksa hedhim një vështrim të përgjithshëm në tregjet ushqimore, vëmë re se çmimet e produkteve nuk kanë luhatje të theksuar çmimesh, sikundër jemi mësuar të ndodhë. Kjo ka bërë që blerjet për darkën festive të Krishtlindjeve e më pas atë të ndërrimit të viteve të jenë më të pasura në shumëllojshmëri asortimentesh. Vetë tregtarët pohojnë se tashmë është kthyer në një ritual nisja e blerjeve të hershme nga qytetarët, kjo nga frika e një rritjeje të mundshme të çmimeve me afrimin e ditëve të festës. Ajo që vlen për t’u theksuar është se çmimet këtë vit kanë ndikuar në shtimin e kësaj fuqie blerëse në radhët e të gjitha shtresave.

Produktet ushqimore

Edhe këtë vit ndër më të shiturat vijojnë të mbeten produktet tradicionale të festave, si gjeli i detit, ëmbëlsirat karakteristikei dhe zbukurimet e lodrat për fëmijë. Vlera e një gjeli deti varion nga 550 lekë për të importuarit në kushte të ngrirjes dhe më i lartë për ata që duan të blejnë të gjallë, për të cilët një kilogram mund të shkojë deri në 700 lekë. Megjithatë, ka ende shumë konsumatorë që nuk mund të përballojnë këto çmimeve dhe për të mos humbur traditën festive gjelin e detit kanë vendosur ta zëvendësojnë me një pulë, e cila kushton më pak dhe është e përballueshme për xhepin e tyre. Ndërsa për çmimet e fruta-perimeve karakteristike çmimet luhaten si më poshtë:

për mollët nga 700 lekë për produktet e vendit deri në 130 lekë për ato të importit; mandarinat nga 100 deri në 120 lekë, po kaq raportohen të jenë edhe çmimet mesatare për portokallet. Megjithatë, çmimet e larta janë prezente, kjo sidomos për fruta-perimet e importit, të cilat nuk mund të zëvendësohen nga prodhimet vendase, në radhët e këtyre të fundit fuqia blerëse është shënuar më e paktë, duke i detyruar konsumatorë të bëjnë blerje të kushtëzuara.

Ëmbëlsirat

Një rritje e lehtë çmimesh raportohet edhe për ëmbëlsirat, e veçanërisht ato karakteristiket, siç është bakllavaja apo lloje të ndryshme tortash. Bakllavaja dhe kadaifi raportohen ndër ëmbëlsirat më të kërkuara në masë, vlera e të cilave shkon nga 550 lekë deri në 800 lekë për një kilogram (kjo në varësi të formës së përgatitjes). Ndërsa kadaifi ka raportuar një ulje të çmimit krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara, duke vajtur në vlerat e 200-250 lekëve.

Zbukurimet e lodrat

Ndryshe ka ndodhur me elementet dekoruese, të cilat kanë njohur blerje të shumta, veçanërisht në radhët e bredhit, dritave shumëngjyrëshe si dhe lodrave për më të vegjlit. Në rrugën “Murat Toptani” në kryeqytet, ku shtëpizat prej druri ofrojnë shërbimet nga më të ndryshme, ndihet atmosfera festive e blerjeve të pemës kundrejt çmimeve të ndryshme nga 3500 lekë deri në shifra të larta 15 mijë lekë. Ndërsa për lodrat e fëmijëve pranë kësaj rruge raportohen shitje masive veçanërisht për lodrat, çmimet e të cilave luhaten nga 150 deri në 500 lekë. Nuk mbeten pas edhe lodrat e llojeve të tjera më të shtrenjta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›