E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca, Topi e leshon, Nano e shpreson

23/12/2011  Ish-lideri socialist komenton zhvillimet më të fundit në PS. Nuk harron Presidencën

Nano: Unë president?! PS nuk ka vdekur

“Përjashtimi i Islamit, PS do të ketë forca për ta korrigjuar këtë gabim fatal”

Oli Xhilaga

“Ndryshimet në mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste janë të pritshme”, - ky është konstatimi i ish-kryetarit të kësaj partie Fatos Nano. Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në këtë parti, ish-lideri socialist shpreh bindjen e tij se kjo forcë politike do t’i kthehet traditës së funksionimit të saj. Njëkohësisht në vlerësimin e tij do të jetë po kjo parti që do ta kandidojë atë në garën për kreun e ri të shtetit. Këtë perceptim ish-kryetari Nano e mbështeti në zhvillimet e ndodhura së fundi në parti, të cilat nisën që me zgjedhjen e strukturave të reja dhe mënjanimin e deri në përjashtimin e figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste. Madje, referuar çregjistrimit të deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar socialist, Nano e cilësoi këtë vendim si një gabim fatal.

Përjashtimi i Islamit

Ish-kryesocialisti Fatos Nano zhvilloi dje homazhe në ambasadën çeke në nderim të ish-heroit antikomunist Vaclav Havel. Pas vlerësimeve për një figurë të tillë, ish-kryetari Nano u ndal në zhvillimet më të fundit në kampin e majtë, ku nuk mund të mos i bënte përshtypje përjashtimi i deputetit Islami. Madje, duke u nisur nga vlerat që mbart në traditën e saj kjo forcë politike, Nano shprehu bindjen e tij se socialistët do të gjejnë rrugën për zhbërjen e një vendimi të tillë. “Partia Socialiste do të ketë forca për ta korrigjuar këtë gabim fatal”, - vuri në dukje Nano lidhur me vendimin e grupit parlamentar socialist për përjashtimin e deputetit Kastriot Islami. Përjashtimi i këtij të fundit nga grupi parlamentar i PS-së u bë dy ditë më parë nga ligjvënësit socialistë. Vetëm katër vota ishin kundër këtij vendimi dhe dy abstenime, ndërsa pjesa tjetër e grupit ishte pro propozimit të kryesisë së PS-së. Në këtë mbledhje mungonin deputetët Andis Harasani dhe Ben Blushi, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve socialistë nën drejtimin e kryetarit Rama dhe kreut të grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi vendosën që të ndërpresin karrierën politike të ish-themeluesit të selisë rozë nën siglën e saj, Kastriot Islamit. Nga ana e tij Islami e komentoi një përjashtim të tillë si një vendim personal të kryetarit Rama, pasi një zgjedhje e tillë nuk ishte e bazuar as në statutin e PS-së dhe as në rregulloren e grupit parlamentar të saj.

Gara për president

Po me këtë frymë optimiste, ish-kryeministri socialist u shpreh dhe për mbështetjen që do t’i japë forca politike e drejtuar prej tij për vite me radhë në garën për presidentin e ri. Në këtë mënyrë, ndalur në dyshimin e madh për opinionin publik nëse Partia Socialiste do të propozojë emrin e tij për një garë të tillë apo jo, ish-kryetari Nano hedh poshtë të gjitha dyshimet. “Partia Socialiste nuk ka vdekur”, - deklaroi prerazi Nano duke besuar ende te familja e tij politike. Këtë bindje ish-lideri socialist e përforcoi më tej në mënyrën se si zgjodhi që të ironizojë mënyrën se si drejtohet aktualisht Partia Socialiste. “Unë nuk besoj se jam në garë me të shkuarën, pasi jam në garë me idetë, në garë me ata që respektojnë integrimin”, - vlerësoi Nano gjatë prononcimit të tij për shtyp. Këtë qëndrim ish-kreu Nano e mbështeti dhe në mënyrën se si kryetari i PS-së, Edi Rama, organizoi kohën e tij në këto homazhe. I pranishëm në këtë ceremonial pak minuta përpara mbërritjes së Nanos, kreu socialist ka nxituar të zhvillojë nderimet e rastit në mënyrë të përshpejtuar, me qëllim mënjanimin e një përballjeje me paraardhësin e tij.

Takimi me gazetarët, Topi: Ky është komunikimi im i fundit si President

Presidenti Bamir Topi priti dje në mjediset e Presidencës përfaqësuesit e medies me rastin e festave të fundvitit, ku bëri me dije se ky ishte komunikimi i tij i fundit si President, duke lënë të kuptohej se nuk do të rikandidojë në këtë post. “Besoj se në ritualin e këtyre takimeve ky i sivjetshmi pa dyshim është i fundit në cilësinë time si President, pasi sot një vit dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rotacioneve të natyrshme”, – u shpreh Topi. Në vlerësimin e tij Presidenti i Republikës e ka cilësuar jetën politike të këtij viti si mjaft dinamike, ku falënderoi mediet për misionin e tyre të vyer. “Ju falënderoj për këtë mision të vyer. Vlerësoj zhvillimin e medies në këto vite jo thjesht në fushën e teknologjisë. Kjo ditë është veçanërisht për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin. Në fushën tuaj ka edhe relativitet, ka konkurrencë, dikush është para, dikush mbrapa, por rëndësi ka që të gjithë bashkë të shkojmë në sintoni me problemet”, - tha Topi. Duke vlerësuar medien, kreu i shtetit tha se ajo në momente të caktuara ka bërë edhe revolucion. Ai apeloi që në vend të ketë medie të pavarura nga politika, ku të mbizotërojë profesionalizmi. Topi deklaroi më tej se një gjë të tillë duhet ta bëjë fillimisht RTVSH-ja, si institucion që ka detyrim kushtetues. “Mesazhi më i rëndësishëm që do të jepja sot është që media, pavarësisht se është bashkudhëtuese e të gjitha ngjarjeve, duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, më shumë profesionalizëm. Atë që ndoshta ne për hir të elegancës së komunikimit apo për hir të mesazheve diplomatike shpeshherë nuk e themi, publiku i thjeshtë e thotë, ku militantizmi i verbër i ngjitet politikës. Por njerëzit sot kërkojnë një medie të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, pra Radiotelevizioni Publik Shqiptar”, - u shpreh dje në takimin e fundvitit me gazetarët Presidenti i Republikës.

Berisha: Topi jo më President

Dy javë më parë kryeministri Berisha u dha fund pikëpyetjeve për kandidimin ose jo sërish në postin e Presidentit kreun aktual të shtetit Bamir Topi, duke deklaruar në mënyrë të qartë se PD-ja nuk do ta kandidojë më. “Unë po i them se nuk do ta kandidojmë. Kompromise apricinpiale nuk mund të ketë, sepse kjo do të thotë të marrësh peng presidencën.” – deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›