E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS debate për heqjen e TVSH-së

23/12/2011  Kuvendi miratoi dje me konsensus Igli Totozanin në postin e Avokatit të Popullit

PS: Hiqni TVSH-në.

PD: Edi Rama nuk vjen dot në pushtet duke kopjuar Sali Berishën

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën e fundit për 2011-n, që shënoi edhe mbylljen e sesionit të pestë parlamentar të legjislaturës XVIII. Gjatë diskutimeve të djeshme nuk munguan debatet mes mazhorancës dhe opozitës sa i përket propozimit të deputetëve socialistë për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për disa produkte ushqimore. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e konsideroi paketën e propozimeve të PS-së si një demagogji politike, pasi sipas tij nuk do të ulë nivelin e varfërisë, siç pretendohet. “Është një amalgamë dogmash pa sens, që u serviret shqiptarëve si platfoma të një reforme fiskale. As vetë PS-ja nuk beson realisht se një ulje e TVSH-së do të ulte nivelin e varfërisë në vend. Kjo është për të përfituar bizneset pranë PS-së”, - u shpreh ministri Bode nga foltorja e Kuvendit. Në gjykimin e socialistëve, nëse miratohet ky projektligj, qeveria do të sjellë më shumë para për xhepat e veta dhe më pak për xhepat e qytetarëve. “Keni thënë se jeni partia e taksave të ulëta, vetëm tatimin mbi fitimin keni ulur duke u bërë nder kompanive që janë rreth jush. Njëra prej kompanive celulare, ajo më e madhja, e ka 59% normën e fitimit”, - tha deputeti socialist Erion Braçe, duke shtuar se Berisha më 2005-n premtoi uljen e TVSH-së dhe nuk e mbajti këtë premtim. Në kundërpërgjigjen e tij ministri Bode u shpreh: “Ju kërkoni të hidhni në parlament programin e Berishës. Keni një mani të kopjoni Sali Berishën. Kur Berisha e tha më 2004-n se “do të ulim TVSH-në, ju thatë se “nuk vlen”. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën. Shqiptarët e kanë një Sali Berisha, dhe e kanë votuar”, – tha Bode.

Në fjalën e saj në emër të grupit parlamentar socialist Mimi Kodheli theksoi: “Ju e keni rritur barrën fiskale gjatë qeverisjes suaj me 1.3 milion dollarë për çdo vit, dhe kjo në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Vendosja e taksës së sheshtë nuk solli uljen e taksës, por zhvendosi barrën fiskale nga kompanitë te njerëzit e thjeshtë dhe konsumatorët”, - tha Kodheli. Debate u zhvilluan edhe në diskutimin për projektligjin “Për mbikëqyrjen elektronike”, i cili parashikon vendosjen e një pajisjeje sinjalizuese (byzylykë) për të dënuarit me dënime alternative. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha se projekti synon të garantojë zbatimin korrekt të vendimeve të gjyqësorit dhe e vlerësoi si një ligj shumë të rëndësishëm në kuadër të reformës në drejtësi.

Votimet e djeshme

Ashtu siç kishin premtuar, mazhoranca bashkoi dje votat e saj me opozitën ku me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime Igli Totozani u miratua në postin e Avokatit të Popullit. Por mazhoranca hodhi poshtë propozimin e Partisë Socialiste për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për disa produkte ushqimore dhe energjisë elektrike me 71 vota kundër dhe 63 vota pro të opozitës. Kuvendi miratoi gjithashtu projektligjin për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale me 71 vota pro dhe 63 kundër.

Në përfundim të seancës së djeshme Igli Totozanit iu bashkua dhe kryetari i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, të cilët bënë betimin e tyre para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Një javë më parë Kuvendi miratoi me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime dekretin e Presidentit të Republikës, që propozonte kandidaturën e Bujar Leskajt si kryetar i KLSH-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›